Mirupafshim Rio. Ishin lojëra që do të mbeten gjatë në memorien e të gjithë atyre që i përjetuan. Ceremonia e mbylljes së edicionit të 31-të të Lojërave Olimpike ishte një ceremoni madhështore nën ritmin e muzikës braziliane për të celebruar një Olimpadë të jashtëzakonshme, gara, medalje histori, rekorde, lotë gëzimi e hidhërimi. Phelps dhe pastaj Bolt dhe shumë doping. Olimpiada është vetë jeta për 10.500 atletët e botës që lanë takim për t'u takuar aty, si çdo katër vjet. Kane qenë dy javë të paharrueshme nga fillimi në fund, që keni patur mundësinë t'i përjetoni si asnjëherë tjetër me transmetimet maratonë. Për Shqipërinë Lojërat Olimpike u hapën me flamurmbajtësen Luiza Gega dhe shumë polemika mbi trajtimin e sportistëve, disa prej të cilëve nuk ngurruan të akuzonin publikisht zyrtarët e KOKSH për trajtimin e rezervuar, asnjë medalje, ndërsa në ceremoninë e mbylljes ata që u shfaqën më tepër ishin dy zyrtarë. Presidenti i Federatës së Atletikës Ruli, dhe ai i peshëngritjes Gjoza. Nuk kishte shumë për të festuar për delegacionin kuqezi dhe është vërtet kuptimplotë dhe shprehja e fytyrës së trajnerit të Luiza Gegës, Taulant Stërmasi aspak entuziast në përshëndetjen e tij. Gjithsesi sa shumë përshëndetje në një cermoni të denjë për këto Lojëra, me një spektakël të larmishëm dhe të kronometruar që nga himni brazilian i kënduar nga fëmijët dhe sfilata e 207 flamujve të vendeve pjesëmarrëse. Një festë me këngëtaren Julia Michaels, që mori vëmendjen pas daljes në skenë të atletëve. Një spektakël fishekzjarresh me kërcime, ngjyra dhe përshëndetje që Brazili i tregoi botës për t'u ndarë nga eventi me 5 rrathë. Suveniret e fundit nga Jugu i Botës, me kërcimet e fundit nën ritmin e fizarmonikave elegante që e bënë spektaklin edhe më të përlqyeshëm, deri te ceremonia e cmimeve të maratonës së meshkujve, me Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach dhe Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës Sebastian Coe, që i dorëzuan medaljet amerikanit Galen Rupp, i treti, argjendin për etiopianin Feysa Lilesa dhe kenianit Eliud Kipchonge që fitoi të artën.U prezantuan më pas gjatë ceremonisë dhe katër atletët e sapozgjedhur në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, rusja Yelena Isinbayeva, gjermania Britta Heidemman, koreanujugori Ryu Seug-min, hungarezi Daniel Gyurta dhe neozelandezja Sarah Walker.





