Nga BUJAR QESJA

Ditë të nxehta. Temperatura të larta. Por për Florian Vlashin këto temperatura janë të dyfishta: së pari nga kushtet e motit dhe së dyti nga puna kolosale që po kryen për ti dhënë dorën e fundit organizimit të Bienales Netët e Muzikës Klasike. Nuk matem dy herë po të pohoj, që kjo Bienale është nga veprimtaritë më nderuese, më autoritare që mbetet si një kurorë nderi, i një angazhimi profesionist të violinistit të madh durrsak me famë europiane Florian Vlashi.

“Gjaku nuk bëhet ujë” është shkruar në librin e urtësisë së popullit. Në trupin e Florianit lëviz gjaku i Gjergj Vlashit. Edhe se e lutnin të dy djemtë për të qëndruar në Spanjë apo në Amerikë, Gjergj Vlashi e kishte vendosur njëherë e përgjithmonë pozicionin e tij: të mos lëvizte kurrë dhe asnjëherë nga Durrësi, nga qyteti i lindjes së tij dhe nga toka e të parëve.

Floriani prej tri dekadash jeton në Korunja të Spanjës. Atje ka ndërtuar shtëpi e katandi. Atje ngriti karierën, rrënjët e së cilës janë në Durrës. Atje dashurohet dhe lidhi jetën, me violonçelisten e njohur Rediana Lukaçi. Familja e tij atje shtohet me dy djem si yje Danielin dhe Martinin, që të dy këta në zanatin e prindërve të tyre. Atje kanë ndërtuar një orkestër që i vjen erë Shqipërie, me dirigjent të përjetshmin Gjergj Vlashi.

Dhe Bienalia që në ditën e parë, është Nata e Muzikës Baroke (në kopshtet e Edenit), me muzikë të autorëve Stabat Mater-Pergolesi dhe Caravaggio, ku interpretojnë Katrina Miftari soprano dhe Safet Berisha –kontra tenor, solistë të bienales së Durrësit. Dhe kjo natë e parë, është një homazh për Gjergj Vlashin- in memoriam. Në fakt në të 10 ditët e Bienales, portreti i gjallë i Gjergj Vlashit është prezent, pasi kjo skenë është e tij, e kolegëve të tij, e artistëve durrsakë.

Floriani i ka kopsitur me imtësi gjërat. Më vjen mirë, që nën drejtimin e tij lëviz një staf profesionistësh dhe shumë miqësor. Mbështetja nga Qendra Kulturore e Durrësit me drejtor aktivin Elio Bajramaj dhe kolegun e tij Julian Shyti, është nga siguritë e suksesit. Tristan Sherifi bëhet copash për të mbuluar gjërat e vogla, si të padukshme por që kanë rëndësi të dorës së parë.

-Po punojmë në kushte optimale, pohon Florian Vlashi. Salla e freskët, ka rritur optimizmin dhe mundësitë, për nivel e cilësi të lartë artistike. Njerëzit që më rrethojnë po më japin mbështetje. Po e presin me padurim fillimin e kësaj Bienaleje, që është një hap më përpara nga organizimet e mëparshme. Prova tërë ditën. Po punojmë me vidoprojektorin, me elementë teknikë të panumërt. Presim që artistët tanë dhe ato të huaj të bëhen njësh dhe të na çojnë në atë që pritet-suksesin e merituar.

Dhe Bienalja vazhdon me ditën e dytë me Beethoven Goya. Me kuartetin e Kremonës, ku i ftuar është violinsti i njohur Arben Llozi. Vazhdohet me konkursin e talenteve të rinj, ku më i miri do të shkoj në Spanjë për koncerte, kulmon me Sonata Espanola nga Goya tek Dali, ku pritet me padurim interpretimi në violinë i Florian Vlashit dhe në piano të bijës së kompozitorit të njohur Feim Ibrahimi – Etrita Ibrahimi.

Është në vijueshmëri, referimi i Edmond Buharasë për identitetin tingëllor iliro –arbëro-shqiptar, duke qenë të ftuar L.Sulaj dhe E. Lila. Në të dielën e 8 gushtit, pushteti i Beinales kalon në duart e grupit të njohur instrumental Siglo XX, i krijuar dhe drejtuar nga Florian Vlashi, ku veçohet muzika e mahnitshme e Johan Shtrausit. Nën siglën Krijimi i Botës, në ditën e fundit të Bienales me 10 gusht 2021, pritet një tjetër befasi. Fituesi i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar J. S. Bach Lajpcig, violonçelisti Mare Coppey, do të luajë pjesë nga Bach dhe El Bosco.

Ky është programi i Bienales Muzika Klasike 2021, që organizohet në Durrës që nga viti 2003. Interesimi është në rritje dhe ka kërkesa për të ndjekur çfaqjet. Kjo ishte ana artistike. Por ç’ne Namik Sadiku këtu? Ky është problemi tjetër që më intereson qytetarisht ta nënvizoj. Namik Sadiku reagoi me shpejtësi, kur Florian Vlashi sosi në Durrës dhe hodhi spirancat e anijes së tij në portin e muzikës së qytetit. Namik Sadiku e ndjeu këtë dukuri.

Florian Vlashi është shumë modest. Thjeshtësia e tij, është krijuar që kur u bë pjesë e familjes së Gjergj Vlashit. Tingujt e violinës së tij, që në fillimet kishin brenda fuqinë e e traditës së muzikës, përfaqësimin e dinjitetit dhe personalitetit të qytetarisëe durrsake. Florian Vlashi kishte vendosur të bënte art dhe të kthehej në një artist, për të shërbyer dhe për të marrë përgjegjësi.

A nuk jemi krenar nga pak të gjithë, me krenarinë që na ka krijuar djali ynë Floriani në atdheun e Serevantesit? A nuk e ndjejmë nga pak të gjithë peshën dhe stuhinë e duatrokitjeve të publikut të sallave europiane, për durrsakun tonë aq autoritar? Po pse kur luan në instrument Florian Vlashi, nuk e din vallë ai se mbetet një pjesë e jona dhe ekzekuton edhe për ne? Ai e din fort mirë, prandaj udhëtoi drejt Durrësit të tij, me dëshirën e mirë për të na përshëndetur të gjithëve dhe për të thënë po, jam krenar që mbetem pjesë e juaja. Dhe vendos si shenjë afrimi Bienalen e tij të famshme, nën okielon Netët e Muzikës Klasike.

Ky njeri që vjen urtë e butë dhe që e din fort mirë misionin e tij, nuk ka nevojë për t’i bërë elozhe. Florian Vlashi është nga ai kontigjent i inteligjencës durrsake, që ashtu si i jati, e çmon dhe e vlerëson punën dhe e bën atë moto të jetës. Por ne të tjerët duhet të ngacmojmë vetëdijën, që ta mbështesim këtë shenjë të ndezur të kulturës tonë, t’i krijojmë ngrohtësinë dhe emocionet e tokës së tij, të tokës tonë të përbashkët.

Këtë bëri Namik Sadiku, ky biznesmen i njohur, kryelartë dhe krenar për arritjet e tij. Por Namik Sadiku, me një mbiemër që vjen nga arabishtja që do të thotë, i vërtetë, i sinqertë i bëri një pritje fisnikësh Florian Vlashit. Biseduam për punët, për arritjet, por edhe për vështirësitë dhe e siguroi djalin e Gjergj Vlashit për mbështetje.

Nuk është thjesht se po rrufisim një gotë verë, sesa të shijojmë përkrahjen shpirtërore ndaj njëri tjetrit. Floriani len Spanjën, për të bërë muzikë për ne. Vendos edhe një çmim me paratë e tij, që instrumentistin më të mirë ndër 18 vjeçarët nga Durrësi, ta marrë në Spanjë, t’i jap forcë dhe kurajo përfaqësimi. Me Florian Vlashin, Durrësi fillon që nga Korunja e Spanjës dhe shtrihet në ato skena, ku djali ynë na rrit autoritetin.

Namik Sadiku, në pritjen që bëri në resortin e tij të njohur “Bleart”, i shprehu mirnjohjen këtij floriri të artit durrsak. Ai i dha të kuptojë, që në violinën e tij qendrojnë pas të gjithë durrsakët, të cilët si një kor gjigand, këndojnë ariet e sukseseve të Florian Vlashit. Një natë emocionuese, e thjeshtë ashtu si dhe vetë çifti Vlashi, Floriani dhe Rediana. Takimet prej disa ditësh me djalin e Xhoxh Vlashit, kanë qenë për mua një kënaqësi e jashtëzakonshme. Malli dhe arti i këtij njeriu të përkushtuar, përziheshin me detyrimet që duhet të kemi ndaj tij, veçanërisht ato morale që lidhen me personalitetin e gjithsecilit.

Suksese Bineales tënde Florian Vlashi, e cila është në dekadën e parë të saj! Homazh dhe nderim pa fund, për kalorësin e kulturës durrsake, babain tënd dhe tonin Gjergj Vlashi! Jam i bindur në suksesin tënd. Detyra e durrsakëve të tu, është të të çfaqin dhe të mbështesin artin tënd, ashtu sikundër t’i mbetesh përfaqësuesi i betuar i tyre. Kemi nevojë për përkrahjen e njëri tjetrit, pasi morali dhe qytetaria e jonë është tek njëri tjetri.

Bienalja me 1 gusht 2021 ka premierën. Le të fillojmë që tani duartrokitjet.

Durrës: 30 korrik 2021