Në deklaratën përmbyllëse të Misionit të FMN për Shqipërinë për vitin 2024 theksohet midis të tjerash se regjimi i lirë i kursit të këmbimit i ka shërbyer Shqipërisë dhe duhet të mbetet amortizatori kryesor i goditjeve. Analiza e FMN-së sugjeron se vlerësimi i qëndrueshëm i lekut është nxitur përgjithësisht nga faktorë thelemorë si turizimi dhe produktiviteti. Po ashtu, duhet marrë në konsideratë lejimi i lëvizjes më të lirë të kursit të këmbimit dhe ruajtja e normës bazë si mjeti kryesor i politikës monetare.

Ndërhyrjet në kursin e këmbimit mund të jenë të nevojshme kur vlerësimi i monedhës amplifikohet nga faktorë jothemelore, por duhet të jetë në shkallë të kufizuar. Këto ndërhyrje duhet të marrin parasysh kostot dhe përfitimet e akumulimit të mëtejshëm të rezervës, përfshi rreziqet e bilancit të bankës qendrore, si dhe efektet mbi përcjelljen e politikës monetare dhe zhvillimit të tregut financiar.

Raporti i FMN për performancën e ekonomisë shqiptare

Ekonomia shqiptare është në rrugën e duhur për të qenë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë të Evropës në vitin 2024. Pas një zgjerimi prej 3.9 për qind në vitin 2023, stafi i FMN-së parashikon një rritje reale të PBB-së prej 3.6 për qind këtë vit, e nxitur nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe aktiviteti i ndërtimit. Rritja në vitet 2025–2029 pritet të mbetet e qëndrueshme, me rreth 3½ për qind, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi, duke pasur parasysh konkurrueshmërinë e çmimeve të sektorit dhe kapacitetin e përmirësuar. Inflacioni në fund të vitit 2024 pritet të jetë rreth 2 për qind, nën objektivin e Bankës së Shqipërisë (BSH) prej 3 për qind. Megjithëse efektet bazë nga një rënie e ndjeshme nga muaji në muaj në fillim të vitit 2024 do të rrisin përkohësisht inflacionin në gjysmën e parë të 2025, një kthim i qëndrueshëm në objektiv nuk pritet përpara vitit 2026, duke pasur parasysh shkallën e lartë të inercisë në procesin e inflacionit në Shqipëri. . Deficiti i llogarisë korente parashikohet të arrijë në 3.4 për qind në vitin 2024 dhe parashikohet të zgjerohet në mënyrë modeste në periudhën afatmesme për shkak të importeve më të larta të nxitura nga projektet e mëdha të investimeve publike.