TIRANE, 15 maj 2013- Pas takimeve me ministrin e jashtëm Aldo Bumçi dhe anëtarët e KQZ-së ekipi i vëzhguesve të OSBE/ODIHR zhvilloi një konferencë për mediat, ku deklaruan se ky mision do të japë një vlerësim për situan parazgjedhore në vend pas tre javësh.

“Ekipi do nxjerrë një raport për 3 javë. Një ditë pas zgjedhjeve do mbahet konferenca për shtyp me gjetjet paraprake. Pas ditës së zgjedhjes, ekipi do rrijë në Shqipëri deri në mesin e korrikut për të ndjekur situatën paszgjedhore. Raporti përfundimtar afërsisht 8 javë pas zgjedhjeve dhe do përfshihen rekomandimet”, u shpreh drejtuesja e misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Conny McCormack.

Edhe pse u pyet disa herë, për të pasur një qendrim mbi funksionimin e KQZ-së, përgjigja ishte e njëjtë: Nuk kanë mbërritur në Shqipëri për të qenë arbitër, por për të raportuar mbi çka vëzhgohet

Ekipit të vëzhguesve afatgjatw të ODIHR pritet t’i bashkohen edhe mbi 400 vëzhgues afatshkurter qw do të ndjekin nga afër procesin e votimeve. 

Misioni i OSBE-ODIHR-it, takimet në Tiranë 

Takimin e parë, delegacioni i Vëzhguesve të ODIHR e ka pasur mëngjesin e sotëm me ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi.

Në takimin që zgjati për rreth 1 orë, është diskutuar mbi procesin zgjedhor dhe punën e qeverisë në funksion të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Ministri Bumçi është shprehur se ekzekutivi është angazhuar tërësisht për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve më të mira ndërkombëtare.

Më pas, delegacioni i Vëzhguesve të ODIHR, ka zhvilluar një takim me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjatë takimit me 4 komisionerët, vëzhguesit u njohën me përgatitjer që ky institucion po bën për garën elektorale të 23 qershorit.

Misioni i vëzhguesve drejtohet nga Conny McCormack dhe përbëhet nga 15 ekspertë të fushës. Pritet që gjatë zgjedhjeve numri i vëzhguesve të ODIHR të mbërrijë në mbi 400 persona.