Një projekt gjigand bëri bashkë sot më shumë se 10.000 nxënës nga qytete të ndryshme shqiptare për të thyer rekordin Guinness “Cup Song Albania”.

Dy mijë e shtatëmbëdhjetë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në Tiranë, u mblodhën tek sheshi Skënderbej, ku nën një ritëm përformuan me kupa plastike këngën 'Cup Song'. Ndërkohë, edhe në rrethet: Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan u organizuan më shumë se 6000 nxënës.

Iniciativa e kompanisë Sirea Film, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, arriti të thyente rekordin Guinness, gjë që iu komunikua organizatorëve dhe pjesëmarrësve 30 minuta pas performancës. Gjyqtarja, njëkohësisht  e deleguara e Guinness, dha lajmin dhe çertifikatën e rekordit.

https://www.instagram.com/sireafilm/

Përfaqësues nga Sirea Film u shprehën për Anabel.al se rekordi u thye, por jo me 2017 persona, por me 2016.  “Dikush rrëshqiti rrugës”, tha ajo me humor, duke nënkuptuar që nga 2017 personat që kishin formuar “Albania 2017” , vetëm 2016 prej tyre arritën ta mbanin ritmin deri në fund.

Nëpërmjet një performance të jashtëzakonshme, këta të rinj donin të jepnin një mesazh paqeje dhe shprese. Por, mbi të gjitha, ata donin të flisnin sot në emër të bashkëjetesës duke kërkuar nga të gjithë që të mos largohen nga vendlindja, por të mundohen ta bëjnë atë një vend më të mirë për të jetuar.