PRISHTINE – Bereqeti i sivjetëm i misrit në Serbi është i kontaminuar, i helmuar, i infektuar me Aflatoksinë, një lloj këpurdhe “Aspergillus flavus “, që është bashkëdyzim i rrezikshëm, kancerogjen dhe sulmon mëlqinë duke shkaktuar kancer, por që prekë dhe organet tjera, thotë në një komunikatë shoqata “Konsumatori”.Ndërmarrja për kontrollin e cilësisë “ SGS Srbia “ ka njoftuar për dështimin e të lashtave të sivjetme të misrit në Serbi, që është një nga eksportueset më të mëdha në Rajon. Në laboratoret e SGS është konstatuar Aflatoksina, bashkëdyzim tejet kancerogjen i cili mund të gjendet në ushqimin për njerëz por edhe në ushqimin e kafshëve. Sipas SGS-së arsyeja e shfaqjes së Aflatoksin-nës, është thatësia e madhe që përcolli verën e sivjetme dhe agrobiznesin. SGS njofton po ashtu se vetëm 32% e bereqetit të sivjetshëm të misrit në Serbi është i shëndetshëm dhe i sigurt për ushqimin e njerëzve dhe për procesim. Një pjesë e të lashtave të sivjetme të misrit në Serbi që i përmbushë standardet mund të përdoret për ushqim kafshësh e pjesa tjetër për prodhimin e bioetanolit dhe të nishestes.

Koncentrimet më të larta të Aflatoksin-ës nga të lejuarat imponojnë reagimin e duhur dhe të menjëhershëm edhe në Kosovë, e cila është një nga importuesit më të mëdhenj të misrit nga Serbia. Importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë e me pakicë, përpunuesit…duhet të jenë tejet të kujdesshëm në raport me këtë artikull jetik për ushqimin e njerëzve dhe kafshëve si dhe për industrinë dhe agrobiznesin. Masat për mbrojtjen e konsumatorit duhet të jenë të organizuara mirë dhe me një përfshirje të gjerë horizontale e vertikale të të gjithë faktorëve relevantë. Këto masa është dashur të ndërmerren me kohë dhe menjëherë. Çuditërisht Institucionet, Asociacionet e as Mekanizmat e mbrojtjes së tregut akoma nuk kanë reaguar as me informim as me fushata vetëdijesimi të publikut, pikë së pari të konsumatorit.

Problemi me Aflatoksin-ë, ka marrë përmasa pandemike sepse është shfaqur, në përmasa më të vogla, edhe në Hungari, Rumani e Bullgari – kryesisht shtete ku furnizohet Kosova. Duke pasur parasysh afërsinë gjeografike dhe kushtet e ngjashme atmosferike që mbretëruan sivjet edhe në Kosovë është e pritur dhe e mundshme që ky problem të ketë prekur, ndoshta në përmasa më të vogla, edhe Kosovën. Është e udhës që kompetentët t i bëjnë studimet dhe analizat e duhura laboratorike dhe të dalin me një Raport kompetent para opinionit.

Duke pasur parasysh kufirin poroz, rrjetin e kontrabandës Serbi-Kosovë, performansat e pamjaftueshme të Mekanizmave të mbikëqyrjes së tregut dhe të sistemit të drejtësisë, e mbi të gjitha nivelit të ulët të ndërgjegjes dhe të kulturës / edukatës së disa afaristëve, në nivel Shtetëror duhet të ndërmerren masat e sigurisë dhe të parandalimit të importit të këtij misri në Kosovë, thuhet në një komunikatë të nënshkruar nga Selatin Kaçaniku.