Duket si një film horror, por një anije kontenierësh është shfaqur në brigjet e Myanmarit gati dhjetë vite pasi ishte zhdukur. Peshkatarët që kanë qenë të parët që kanë parë anijen, kanë mbetur të tronditur. Në bordin e saj nuk ndodhej asnjë marinar, asnjë anëtar i ekuipazhit.

Sipas autoriteteve, anija Sam Ratulangi PB 1600, me flamur indonezian, e gjatë 177 metra, po udhëtonte drejt një kantieri në Bangladesh, kur u braktis në det nga një rimorkiator, pasi bëri defekt. Bëhet fjalë për vitin 2009. Kjo ishte hera e fundit kur anija transportuese u pa. Ekuipazhi braktisi mjetin lundrues pas një stuhie dhe prej asaj kohe nuk dihej asgjë për fatin e saj.

Anija ‘fantazmë’ u gjet tani pa ekuipazh dhe mallra në bordin e saj. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e misterit. Një deputet është shprehur për të përditshmen “Myanmar Times: “As ekuipazh dhe as mallra nuk janë gjetur në bordin e saj. Është e çuditshme sesi një anije e katyre përmasave ka përfunduar në ujërat tona”. Anija është ende në gjendje të mirë pune.