Rrethanat e tragjedisë ajrore në Kazakistan me avionin që u rrëzua ditën e djeshme pranë qytetit Aktau në Kazakistan mbeten ende të panjohura, teksa autoritetet përkatëse po hetojnë disa pista për shkakun e rrëzimit të avionit, ku mbetën të vrarë 38 pasagjerë.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, një nga pistat që autoritetet po hetojnë rreth tragjedisë ka të bëjë me dronët që dyshohet se ishin ukrainas. Avioni u detyrua të ndërronte drejtim për shkak të një sulmi me dron në Rusinë jugore.
Ndërkohë që raportet e mediave ruse thanë se avioni u përplas me një tufë zogjsh përpara se të rrëzohej, por kjo ende nuk është konfirmuar.
Azerbajxhani Airlines tha se avioni ishte detyruar të bënte një ulje emergjente rreth 3 km (1.8 milje) nga Aktau në Kazakistan.
“Paraprake: pas një përplasjeje me zogj, për shkak të një situate emergjente në bord, komandanti i saj vendosi të ‘shkonte’ në një fushë ajrore alternative – u zgjodh Aktau,” tha mbikëqyrësi i aviacionit të Rusisë në Telegram.
Pasagjerët ishin kryesisht shtetas të Azerbajxhanit, por kishte edhe pasagjerë nga Rusia, Kazakistani dhe Kirgistani.
Në disa media të tjera të cilat i referohen institucioneve zyrtare avioni mund të jetë rrëzuar nga rusët, sakaq kjo mbetet aludim deri në publikim e fakteve dhe të dhënave konkrete.
Ndërsa presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se sipas informacioneve që ka në dispozicion, avioni ndryshoi drejtim për shkak të motit të keq, por ai shtoi se shkaku i rrëzimit nuk dihet dhe duhet të hetohet plotësisht.
“Kjo është një tragjedi e madhe që është bërë një pikëllim i jashtëzakonshëm për popullin azerbajxhanas,” tha ai.
Prokurori kryesor i transportit i Kazakistanit, Timur Suleimenov, tha në një konferencë në kryeqytetin e vendit Astana se kutia e zezë e aeroplanit, e cila përmban të dhënat e fluturimit për të ndihmuar në përcaktimin e shkakut të një përplasjeje, ishte gjetur, raportoi Interfax.
Do të jetë informacioni nga kutia e zezë që do të jap shkakun e saktë të kësaj tragjedie.