Vetëvritet pas sezonit të provimeve studenti 21-vjeçar nga Saranda.
Andrea Papagjika u gjet i pajetë mëngjesin e djeshëm, i vetëvarur në kangjellat e shtëpisë së gjyshërve të tij.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 08:10 të mëngjesit të së dielës, në një banesë të fshatit Shënvasil të Himarës.
Në këtë orë, familjarët kanë gjetur trupin e pajetë të të riut, i cili në rrethana dhe për shkaqe ende të paqarta, është vetëvarur në kangjellat prej hekuri të banesës 2-katëshe.
Mësohet se Andrea Papagjika ishte student në Tiranë. Pas përfundimit të sezonit të provimeve, 21-vjeçari ishte kthyer në familjen e tij, në qytetin e Sarandës, për të kaluar pushimet verore.
“Panorama” shkruan se gjithçka ka shkuar normal këto ditë dhe askush nga familjarët e tij nuk ka kuptuar që djali të kishte pasur ndonjë shqetësim që lidhej me shkollën apo çështje personale të tij.
Ditën e shtunë, ai u kishte thënë prindërve se do të shkonte te gjyshërit, të cilët jetonin në fshatin Shënvasil të Himarës, për të kaluar fundjavën, aty ku ndodhi dhe akti i tmerrshëm i vetëflijimit.
Po vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e vetëvrasjes misterioze së të riut.





