21 mars 2014 – Në historinë e aviacionit modern ekzistojnë 88 mistere. 88 avionë pasagjerësh, mallrash apo avionë të vegjël të zhdukur pa lënë gjurmë në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk është gjetur kurrë asnjë gjurmë e tyre, pavarësisht kërkimeve për ditë të tëra, muaj dhe në disa raste edhe vite. Pjesa më e madhe e tyre kanë rënë në pikë jo ekzakte në det, ndërsa disa të tjerë në tokë. Aviation Safety Network (Rrjeti i sigurisë së aviacionit) ka ndërtuar një hartë për të treguar në çfarë zone janë zhdukur 88 avionët fantazma.
Numri i tyre mund të jetë i destinuar për t’u ulur me kalimin e kohës, pasi mbase mund edhe të gjendet ndonjë mbetje herët a vonë. Një gjë e tillë ka ndodhur në të shkuarën. Për shembull, në vitin 2000 u lokalizuan mbetjet e avionit të zhdukur në vitin 1947 që nga Montevideo transportonte 5 pjesëtarë të ekuipazhit dhe 6 pasagjerë për në Santiago të Kilit, citon Klan. Avioni ishte varrosur nga një ortek dëbore shkaktuar nga përplasja me malin Monte Tupangato. U deshën plot 53 vite, megjithatë në fund misteri u zgjidh. Fluturimi me numrin më të madh të pasagjerëve në bord i zhdukur ka qenë ai i linjës Flying Tiger. Gjendej mbi oqeanin Indian dhe ishte data 16 mars e vitit 1962. Në bord ndodheshin 107 persona si dhe ekuipazhi. Ishte nisur nga baza ushtarake amerikane e Guam-it. Pavarësisht kërkimeve, nuk u gjet kurrë asgjë. Një dëshmitar pohoi se kishte parë të shfaqej një dritë të papritur në qiell. Avioni i parë i zhdukur ka qenë një fluturim nga British South American Airways, i zhdukur bashkë me 31 pasagjerët e tij teksa fluturonte mbi oqeanin Atlantik në janar të vitit 1948. Ai vit ka qenë një ndër më të këqinjtë për avionët fantazëm. Tjetri ka qenë viti 1966. Dhjetëvjeçarët më të zinj kanë qenë vitet ‘60 dhe ‘70 me 19 avionë të zhdukur.
Një histori e lidhur me një avion të zhdukur është edhe ajo e Amelia Earhart, figura legjendare femërore e aviacionit civil. Ajo u shpall zyrtarisht e vdekur në vitin 1939, dy vite pasi nuk u gjet asnjë gjurmë e avionit me të cilin ajo përpiqej të bënte xhiron e botës. Monoplani Electra u zhduk teksa fluturonte mbi oqeanin Pacifik dhe pavarësisht kërkimeve të shumta nuk u gjet kurrë asnjë gjurmë.
Avionë janë zhdukur edhe në Trekëndëshin Bermuda, duke i dhënë kështu origjinë legjendave lidhur me atë zonë. Në listën e Aviation Safety Network gjenden dy raste të zhdukura në Bermuda. I pari, siç e përmendëm më lart është avioni i zhdukur në vitin 1948. I dyti u zhduk dy vite më vonë. Në total, 51 persona të zhdukur, të cilët nuk u gjetën kurrë. Rreth një viti përpara, në 1945, në atë zonë u zhdukën 5 bombardues amerikanë të cilët po bënë fluturime stërvitëse. Edhe në këtë rast nuk u gjet kurrë asnjë gjurmë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





