Policia njoftoi sot arrestimin e disa të akuzuarve për aferën e inceneratorëve. Madje disa prej tyre u fotografuan në hyrje të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të shoqëruar nga policët.
Por deri në orët e vona të natës nuk ka një konfirmim për arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako. Menjëherë kanë nisur spekullimet, sipas të cilave Bllako është arratisur jashtë vendit.
Gjatë të gjithë ditës, në media qarkulluan lajme për vetëdorëzimin e tij në polici, por pavarësisht raportimeve sporadike, mungoi një konfirmim zyrtar nga policia për ekzekutimin e urdhër-arrestit të SPAK.
Versioni i arratisjes gjithsesi mbetet një spekullim për momentin, por zyrtarët më të lartë të policisë kanë disa orë që kanë ndërprerë çdo komunikim me gazetarët.
Tymnajën e shton më shumë një postim i avokatit të Alqi Bllakos në Instagram, që ka nxjerrë foton nga një avion me mesazhin: Përqafime!
Alqi Bllako u duk se pranoi verdiktin e gjykatës që nga momenti që i dërgoi Kuvendit kërkesën për të dorëzuar mandatin. Pavarësisht se pretendon pafajësinë, deputeti u shpreh se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë si një qytetar i thjeshtë. Por fakti që nuk është arrestuar ende të bën të mendosh se Bllako ia ka mbathur dhe zvarritja e procedurave, statusi në Facebook, mund të ketë qenë një lojë për t’ia hedhur policisë.