40 sekonda për të shmangur katastrofën. Vetëm kaq sekonda kishte në dispozicion piloti i kompanisë së China Eastern Airlines për të shmangur përplasjen me tokën.

Hetues kineze, të ndihmuar dhe nga specialiste amerikanë, po përpiqen të kuptojnë se ç’ndodhi me Boingun 737 që u rrëzua pikiatë një ditë më parë duke i marrë jetën 132 personave në bord, pa u lënë asnjë mundësi shpëtimi.

Avioni është rrëzuar me një shpejtësi prej 9.400 metrash në minutë, në mënyrë gati plotësisht vertikale. Pikërisht nga mënyra sesi ka rënë mjeti fluturues nga qielli drejt tokës, kanë lindur dyshime nëse bëhet vërtet fjalë thjesht për një aksident tragjik, apo pas ngjarjes së rëndë qëndron një akt i qëllimshëm.

Të dhënat e radarëve tregojnë se avioni ka qenë duke lëvizur normalisht, kur papritur, në një moment të caktuar nis rënien pikiatë, një dinamikë lëvizjeje kjo e panatyrshme sipas ekspertëve.

Avioni i nisur nga qyteti kinez, Kunming për në Guangzhou, u përplas në një zonë malore te provincës Guanxi. Presidenti kinez, Xi Jinping urdhëroi  hetim të plotë për incidentin ajror.