Plagosja e gjyqtarit të gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni është marrë në dorëzim nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ajo ka nisur punën për shkak të dyshimeve që burojnë nga kjo çështje, por edhe pasi personi i lënduar ka një status të veçantë për shkak të detyrës së tij. Sipas “Lapsi.al”, përveç prerjeve me një mjet prerës, Gjermeni ka edhe shenja goditjesh në trup. Kjo ka shtuar dyshimet se ai është përfshirë në një konflikt fizik ose është ushtruar dhunë ndaj tij. Mësohet se edhe familjarë të tij janë marrë në pyetje dhe është ushtruar kontroll në banesën e tij. Gjermeni ka vijuar t’i qëndrojë variantit të parë se është plagosur aksidentalisht në garazh.

Ngjarja

Gjyqtari Artan Gjermeni, është paraqitur mbrëmjen e së dielës pranë urgjencës së QSUT-së, pasi kishte marrë 4 plagë të shkaktuara nga mjete prerëse, kryesisht në dorë dhe krah.
Fillimisht i plagosuri nuk kishte pranuar të jepte shumë detaje. Më pas ai ka deklaruar se është plagosur aksidentalisht me një llamarinë në garazhin e shtëpisë së tij ku është rrëzuar.

Artan Gjermeni, është gjyqtar i Gjykatës së Tiranës. Me herët ka qenë ish-anëtar i KLD-së dhe ka mbajtur postin e kreut të gjykatës së Lushnjës.