Nga Dorian Hatibi

Një nga godinat më tërheqëse në Durrës është ajo që njihet si Banka Kombëtare Tregtare dhe imazhi mbi të i një gruaje luftëtare, të zhveshur dhe shumë misterioze, e cila sheh nga veriu, që ka ngjallur gjithnjë kureshtjen e durrsakëve. 

Për gati një shekull, që nga inagurimi i godinës më 9 nëntor 1928, përtej thirrjeve të vazhdueshme të intelektualëve dhe studiuesve se ajo nuk i përket Mbretëreshës Teuta, qytetarët e Durrësit e njohin si skulptura e Teutës.

Sidoqoftë, pavarësisht legjendave dhe traditave urbane shumë të forta, figura femërore e vendosur mbi godinën e Bankës së Durrësit, ish-selia qendrore e Bankës së Shqipërisë, nuk duket se i përket Mbretëreshës Teuta. Të paktën një gjë e tillë nuk del nga dokumentet e njohura deri më sot. 

Përpos kësaj, Teuta ndryshe nga çfarë besohet nga legjendat urbane, nuk ka sunduar kurrë në Durrës. Ajo tentoi ta pushtonte 2 herë qytetin, por pa sukses. Kështu italianët që ndërtuan godinën nuk kishin asnjë arsye që ta vendosnin skulpturën e saj mbi hyrjen kryesore. Duke marrë parasysh edhe se Teuta ishte armikja e betuar e Romës dhe arsyeja e Luftës së Dytë Iliro-Romake.

Për identitetin e figurës femërore mbi godinën e Bankës janë hedhur disa hipoteza. Sipas një hipoteze ajo mund të simbolizojë Shqipërinë. Përkrenarja e ngjashme me atë që Gjergj Kastrioti mban mbi kokë dhe anija Liburne si fron, japin pikërisht këtë ide, pra personifikimin e një kombi i cili qëndron mbi trashëgiminë ilire dhe i cili udhëhiqet nga modeli i kastriotëve.

Pavarësisht se kjo mbetet një hipotezë sugjestionuese, veçanërisht për pjesën nacionaliste të audiencës, pas një studimi të kujdesshëm, nuk duket se ka elementë që përkojnë me të vërtetën, pasi helmeta dhe ajo që ngjan si pjesa fundore e nje anije nuk korrespondojnë respektivisht me helmetën e Gjergj Kastriotit dhe anija Liburne.

Një hipotezë tjetër tregon se skulptura ka mundësi që të jetë hyjnesha Athina. Në fakt ajo ka të gjitha elementët e simbolikës që shoqërojnë ikonografinë e Athinës. Ka të vendosura një shtizë, një helmetë, një antropomorfizëm të “Athene Noctua”-s dhe mbi të gjitha mburojën e Zeusit, të njohur si “aegis”, ku është gdhendur koka e Meduzës. 

Edhe në këtë rast ka mospërputhje serioze në disa detaje. Për shembull Athina nuk është kurrë e zhveshur në imazhet e saj. Ajo mban gjithnjë një mantel që e mbulon. Gjithashtu ajo që njihet si “Athena Noctua” është një buf dhe shumë rrallë një krijesë me trajta antropomorfike.

Kur ndodh kjo e fundit është për shkak të ndikimit romak[1] dhe jo sepse një gjë e tillë i përket imazhit origjinal. Përveç kësaj do të ishte e pazakontë që arkitektët fashist italian të vendosnin në krye të një strukture aq të rëndësishme për imazhin e shtetit fashist një hyjneshë greke.

Një gjë e tillë madje do të ishte politikisht jo korrekte në kuadër të luftës dhe përplasjeve që shqiptarët kishin zhvilluar jo shumë vite më parë me grekët. 

Pas një analize të kujdesshme të simboleve të skulpturës, duket se ajo i përket hyjneshës Roma (“Dea Roma”). Në fakt ka të gjithë elementet e kësaj hyjneshe. Armaturën e plotë (helmetë të zbukuruar me krahë ose me kuaj, shtizën dhe mburojën “aegis”), figurën e Fitores (italisht: “Vittoria”), e cila ndryshe nga çfarë ndodh në rastin e “Athina Noctua”-s, ka gjithmonë trajta antropomorfike, pozicionin e trupit dhe faktin që është e zbuluar. 

Një provë shtesë në këtë drejtim na vjen nga Roma. Skulptori i statujës sonë ishte Gianni Remuzzi dhe ishte nxënësi i Angelo Zanellit, ky i fundit autori i Dea Romës në monumentin e famshëm “Altare Della Patria”, në Romë. 

Zanelli dhe Remuzzi kishin punuar së bashku gjithashtu edhe relievët anësorë të monumentit të famshëm italian dhe i kishin mbaruar ato në prill të vitit 1925. Shumë pak kohë më pas Remuzzi nisi punën për skulpturën e Durrësit dhe ka shumë mundësi që ai të jetë frymëzuar nga mësuesi i tij për realizimin e kësaj vepre.

Duhet përmendur këtu edhe fakti se shteti fashist i kohës kishte qëllime të qarta ekspansioniste dhe se përmes strukturave të tilla po përgatiste terrenin për pushtimin, i cili fillimisht duhej të ishte kulturor, e më pas politiko-ushtarak. 

Vetë fashizmi shihte tek simbolet dhe mitet antike romake, themelin e shtetit fashist dhe kjo duhej propaganduar e shpërndarë kudo nëpër vendet të cilat synoheshin për tu pushtuar më pas, si në rastin e Shqipërisë.

Kështu vendosja e një skulpture të “Dea Roma”-s mbi godinën më të rëndësishme financiare të Shqipërisë nuk ishte asgjë më shumë se sa një piketë kulturore me funksione edhe propagandistike, si një parapërgatitje e zbarkimit të 7 prillit 1939 në Durrës./Amfora.al/