Hetimet për vdekjen e Angelo Onoratos janë në një fazë të rëndësishme dhe hetuesit shprehen tejet të rezervuar. Rezultatet e autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Palermo nuk flasin për shenja dhune në trupin e arkitektit 56-vjeçar. Përveç asaj të bërë nga fasheta e bardhë plastike rreth fytit. Po ashtu, janë marrë kampionët e nevojshëm për të përcaktuar nëse ishte ose jo nën efektin e qetësuesve. Por për përgjigjet do të duhen 90 ditë.
Fashikulli i hapur nga prokuroria është për vrasje, shkruan ANSA, por pista e vetëvrasjes mbetet kryesorja. Hetuesit vijojnë të marrin në pyetje të afërm e miq të sipërmarrësit, i cili u gjet i vdekur të shtunën, me një fashetë të shtrënguar rreth fytit brenda makinës së tij Range Rover. Makina ishte e parkuar përgjatë rrugës paralele me autostradën Palermo-Mazara del Vallo.
Trupin e zbuloi bashkëshortja e tij, europarlamentarja Francesca Donata dhe vajza Carolina, që mbërritën te makina e parkuar krah trotuarit nëpërmjet GPS-së.
Nga kontrolli i kryer në makinën e arkitektit, rezulton që në brendësi të saj është gjetur një shenjë gishti. Nëpërmjet analizave të sofistikuara, ekspertët po përpiqen të zbulojnë se kur është lënë kjo shenjë. I përket ditës kur u gjet i vdekur Onorato? Apo bëhet fjalë për një shenjë të vjetër, e për pasojë nuk ka asnjë lidhje me vdekjen e sipërmarrësit?
Për vdekjen e 56-vjeçarit ka edhe elementë të tjerë të përftuar nga policia që janë referuar në prokurori. Si fasheta e dytë që u gjet përtokë krah derës së pasme të Range Rover-it, që policët e gjetën pak të hapur në momentin që mbërritën në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për derën nga ana e shoferit, ku Onorato ndodhej në timon, me këpucët thuajse të hequra dhe syzës e rëna në jakën e këmishës.
Por ka një element tjetër të rëndësishëm: duket se mbyllja e fashetës rreth fytit të sipërmarrësit, ishte anësore. Pikërisht në këtë detaj insiston edhe Nuccia Albano, përfaqësuesja e familjes së Onoratos, me eksperiencë të gjatë si mjeke ligjore. Sipas saj, pozicioni i mbylljes së fashetës është vendimtare për të përcaktuar nëse Onorato është vrarë, siç pretendojnë familjarët e miqtë e tij, apo është vetëvrarë.
Sipas Albanos, nëse vërtetohet se mbyllja e fashetës ishte anësore, ose nga pas, nuk do të kishte dyshime: Onorato është vrarë.