Katër persona deri më tani janë intervistuar nga ana e organeve të hetuesisë së shtetit lidhur me rastin e zhdukjes së policëve Malësor Dashit dhe Armend Trenës, të cilët dyshohet se ranë nga ura në lumin Lepenc, në rrugën Han i Elezit – Kaçanik, ndersa ishin në krye të detyrës. Ndër të intervistuarit ka punëtorë të kompanisë ndërtimore “Bechtel Enka”, njërin prej të cilëve, policët e zhdukur e kishin dorëzuar në polici mbrëmjen fatale.

Prokuroria e ka marrë në pyetje edhe personin e fundit që kishte kontaktuar me policët e zhdukur, Malësor Dashi e Armend Trena. Ata ia kishin shkruar atij një gjobë për kundërvajtje në trafik, mbrëmjen e së shtunës.

Detaje rreth intervistimit të këtyre personave ka dhënë të mërkurën kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Deri më tani për këtë çështje janë intervistuar katër dëshmitarë. Ka dëshmitarë të cilët janë punëtor të Bechtel Enka-s. Është edhe një tjetër dëshmitar që atë ditë ka qenë i arrestuar, si dhe është një person tjetër që është intervistuar atë ditë, e të cilit policët e zhdukur i kishin dhënë një gjobë komunikacioni për kundërvajtje. Tash do të shohim prej hetimeve”, ka thënë Jashari për Express.

Por, rreth këtij rasti misterioz, kryeprokurori Jashari, i cili po i zhvillon hetimet, ka thënë se dyshimet e para çojnë se vetura ka rënë në humnerë.

Deri në këto momente dyshimet e vetme janë që kanë rënë në lumë. Të tjerat janë vetëm thashetheme”, ka sqaruar ai.

Ndërkohë, vetura me të cilën kanë udhëtuar dy policët mbrëmjen e shtunës është dërguar për ekzaminim. Sipas prokurorisë, ekzaminimi do të tregojë se ç'e ka shkaktuar aksidentin.

Kryeprokurori Jashari ka treguar se në vendin e ngjarjes do të dalin edhe një herë zyrtarët dhe ekspertët e komunikacionit të Policisë së Kosovës, për të bërë të ditura shkaqet që kanë çuar në aksident.

Vetura është dërguar për në ekspertizë. Kërkesa është bërë. Pritet vetëm që të bëhet ekzaminimi. Nuk mund të paragjykojmë nëse vetura ka pasur ndonjë defekt, pasi në vendin e ngjarjes nuk ka pasur ndonjë gjurmë të frenimit.  Dyshimet janë se ata kanë rënë në lumë”, ka deklaruar me tej kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Prokuroria dyshon se në vendin e ngjarjes u gjetën pjesë të trurit

Një ditë pas këtij rasti, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa mbetje trupore të cilat, sipas Prokurorisë, po dyshohet se janë pjesë të trurit. Ato pjesë nuk dihet nëse janë të ndonjërit prej policëve apo të ndonjë personi tjetër.

Nga Prokuroria thonë se do të jetë analiza e cila do të japë më shumë të dhëna se kujt i përkasin ato.

Pjesët e gjetura dyshohet se janë një pjesë e trurit. Por, pa u bërë analiza mund të dimë me siguri se çka ka qenë. Po e presim raportin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë prokurori Jashari.

Mjekësia Ligjore: Nëse Prokuroria bën kërkesë, ne i kryejmë ekzaminimet nesër

Rreth kësaj çështjeje, zyrtarë nga Mjekësia Ligjore në Kosovë kanë deklaruar se po e presin urdhrin e Prokurorisë dhe thonë se, nëse ai urdhër arrin brenda ditës, ekzaminimet e atyre mbetjeve do të kryhen nesër.

Drejtori i Mjekësisë Ligjore në Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka sqaruar se ata nuk kanë pranuar asnjë ftesë nga ana e Prokurorisë për ekzaminim.

Presim urdhëresën nga Prokuroria e Ferizajt. Nëse e sjellin, ne nesër e kryejmë ekzaminimin”, ka deklaruar Gërxhaliu, për Express.

Ndërkohë, drejtuesit e hetuesisë kosovare e kanë marrë si provë materiale një armë, e cila nuk dihet se kujt i takon, disa pranga dhe një shufër të gomës.

Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, kur vetura ka rënë nga një lartësi prej rreth 150 metrash në lumin Lepenc.

Ekipet e Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë të shumtë janë në kërkim të trupave të dy policëve. Kërkimet po zhvillohen në rrjedhën e lumit Lepenc dhe në brigjet e lumit, në të dy anët.

Kërkime po bëhen edhe në anën maqedonase të kufirit, pasi dyshohet se rrjedha e ujit ka mundur t’i bartë trupat në rrjedhën e Lepencit në Maqedoni.