Ka përfunduar seanca gjyqësore në Gjykatën e rrethit të Kurbinit për agjentin e Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit, Jeton Lami, i cili u vu në pranga ditën e djeshme.
28-vjeçari është lënë në arrest me burg. Lami u akuzua për ‘shpërdorim detyre” sepse ka shoqëruar dhe përkrahur një person të shumëkërkuar, Ervis Martinajn gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim, pas zhvillimit të operacionit “Plumbi i artë” dhe nuk ka marrë masa për kapjen e tij.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje nga dosja hetimore e policisë lidhur me veprimet e Jeton Lamit. Kështu, rezulton se “Lami, i cili ka detyrën e agjentit të Forcës Operacionale ka shoqëruar me një automjet luksoz “Audi A8″, Ervis Martinajn bashkë me një vajzë.
“Ata rezultojnë të jenë nisur nga Peza në drejtim të Durrësit në datën 5 gusht në orën 21:15 dhe me Lamin që i shoqëron teksa shihen duke hyrë në një hotel. Sipas të dhënave paraprake dhe pamjeve filmike të Prokurorisë së Kurbinit rezulton se Ervis Martinaj dhe vajza që e shoqëronte kanë dalë të nesërmen dhe janë shoqëruar nga oficeri dhe një person tjetër që nuk është identifikuar ende. Edhe vajza që e shoqëronte është marrë në pyetje. Pamjet e fundit të Ervis Martinaj janë në Tiranë më 7 gusht dhe më pas nuk dihet asgjë për të. Sipas familjes ai ka humbur kontaktet më datë 9 gusht”, zbuloi gazetarja e kronikës, referuar dosjes hetimore.
Ervis Martinaj edhe pse ishte në kërkim komunikonte në mënyra të ndryshme me familjen, ndërsa Prokuroria e Kurbinit po heton tashmë pistën e rrëmbimit të tij, por nuk përjashtohet inskenimi i ngjarjes, pas denoncimit të xhaxhait të tij Faik Martinaj.