Është gjetur  i braktisur një jaht luksoz me emrin "Atik Bey" në kufirin detar mes Shqipërisë dhe Malit të zi.

Mjeti lundrues është gjetur nga një peshkarexhë e portit të Shëngjinit, “Esperanca”, e cila ka njoftuar Policinë Kufitare të Lezhës dhe njëkohësisht është njoftuar edhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare.

Mjeti i braktisur që lëviste pa një drejtim të qartë është ankoruar në portin e Shëngjinit, por ende nuk dihet asgjë për pronarin e tij dhe personat që mund të kenë qenë në bord.

DurrësLajm mëson se jahti me flamur turk 14 metra i gjatë dhe rreth 8 metra i gjerë dhe me vlerë rreth 100 mijë euro është sinjalizuar për herë të fundit nga porti i Budvës në Mal të zi, 4 ditë më parë. 

Brenda jahtit, policia kufitare ka gjetur dokumentat e pronarit të mjetit lundrues, por mbeten ende të paqarta arsyet e braktisjes së tij në ujërat shqiptare. Menjëherë kanë nisur verifikimet në lidhje me rastin duke marrë kontakte me autoritetet e Malit të zi dhe Turqisë për të hedhur dritë më shumë mbi këtë ngjarje misterioze.

Grupi hetimor ka mbledhur gjurmët e gishtave të gjetura në jaht, pasi ato mund të shërbejnë për të zbuluar personin apo personat që kanë lundruar me jahtin "Atik Bey".