Dega e PS-së së Durrësit mbyll listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë dhe e ka dorëzuar atë pranë KQZ-së pasditen e sotme. Lajmi konfirmohet për DurrësLajm nga kreu i PS-së Luan Zaza, i cili theksoi se pas konsultimeve të bëra është hartuar lista me 51 emra kandidatësh.

Pasi socialistët durrsakë mësuan emrin e kandidates për bashkinë e qytetit, tashmë presin të njihen me emrat e kandidatëve që do të kërkojnë votën e qytetarëve për të fituar një vend në Këshillin Bashkiak të Durrësit.

Kryetari Zaza tregohet shumë hermetik në bërjen publike të listës së kandidatëve. Sipas tij, gjithçka do të bëhet publike në mbledhjen e Asamblesë së PS-së Durrës që do të zhvillohet nesër, por nga burimet e DurrësLajm, të paktën deri më tani, nuk është bërë asnjë njoftim për mbledhje asambleje.

Dy ditë më parë, Zaza konfirmoi për DurrësLajm se në listën e kandidatëve për këshilltarë do të përfshiheshin edhe disa nga këshilltarët aktualë të PS-së, ndërkohë që në respekt të kuotës gjinore, pjesëmarrja e kandidatëve femra dhe meshkuj do të jetë në raportin 50/50.

Hermetizmi i PS-së së Durrësit në mbajtjen të fshehtë të listës së kandidatëve bie në kontrast me procedurën e ndjekur në bashkinë e Tiranës, ku si kandidati për kryetar Erion Veliaj, ashtu edhe lista me 100 kandidatët u prezantuan në një tubim politik rreth një muaj më parë.

Pas misterit që rrethoi emrin e kandidatit për bashkinë e Durrësit, emër që u bë publik në media rreth 24 orë para se mbledhja e kryesisë së PS-së ta zyrtarizonte atë, lista me emrat e kandidatëve për këshilltarë është misteri i rradhës.

Se pse duhet të mbahet e fshehtë për mediat kjo listë, në një kohë kur është dorëzuar në KQZ, kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen drejtuesit e PS-së Durrës. Nëse duan t'ua bëjnë të ditur më parë anëtarësisë socialiste, këta të fundit më shpejt e kanë marrë informacionin nga mediat për zhvillimet brenda PS-së lokale apo për drejtorët nga Tirana që janë sjellë për të drejtuar Durrësin, sesa nga strukturat drejtuese të degës lokale. 

Lista e kandidatëve për këshilltarë nuk duhet të jetë ekskluzivitet vetëm për socialistët, pasi të gjithë qytetarët durrsakë duan të njihen me emrat e atyre që për 4 vitet e ardhshme pritet të jenë zëri i tyre në parlamentin lokal dhe do të votojnë për investimet dhe projektet e administratës bashkiake që do të kenë impakt mbi jetesën e të gjithë banorëve të Durrësit.

M.B.