Dalin detaje të reja nga tragjedia e dy motrave shqiptare në Genova të Italisë, që ranë nga kati i katërt i pallatit, ku njëra prej tyre vdiq dhe tjetra mbijetoi.

Kunati i dy motrave tha sot për emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores Evis Ahmeti, se kunata që mbijetoi u zgjua nga koma.

Ai zbuloi se menjëherë pasi ajo u zgjua pyeti për motrën, ndërsa tha se dikush i shtyu.

Kunati i të mbijetuarës tha se policia italiane nuk e konsideroi dëshminë e të mbijetuarës, pasi ajo është ende nën efektin e narkozës.

Ai tha se dy janë pistat që po hetohen në Itali rreth tragjedisë së dy motrave.

Pista e parë është ajo e vetëflijimit dhe e dyta e vrasjes. I afërmi tha se ditën e tragjedisë në shtëpi mund të ketë qenë një person tjetër që mund t’i ketë shtyrë motrat dhe t’i ketë hedhur nga kati i katërt.