Malajzi, 11 mars 2014 – Një mister i paprecedentë. Vetëm kështu mund të cilësohet zhdukja e avionit MH370 të kompanisë Malaysian Airlines, i cili humbi nga radarët para 4 ditësh. Por habia më e madhe qëndron në faktin se disa nga të afërmit e pasagjerëve në bordin e avionit deklarojnë se telefonat e familjarëve të tyre vazhdojnë të jenë të ndezur dhe zilet bien. Madje disa prej pasagjerëve figurojnë online në një rrjet social kinez i quajtur QQ.

Zhvillimi më i ri mbi këtë ngjarje, që ka lënë me frymë pezull familjarët e 239 personave në bord, është zbulimi se është identifikuar njëri prej dy personave që mbanin pasaporta europiane të vjedhura. Është zbuluar se ai është një 19 vjeçar iranian, i quajtur Pouiria Nur Mohammad Mehrdad, i cili do shkonte të takonte nënën e tij në Gjermani.  Sipas autoriteteve ai nuk mund të konsiderohet terrorist.

Kërkimet për avionin e zhdukur nga radarët janë shtrirë edhe në një zonë tjetër, por ende pa rezultat. Familjarët e pasagjerëve kanë shpresë se përmes teknologjive bashkëkohore mund të arrihet të përcaktohet vendndodhja e avionit duke gjurmuar sinjalin e telefonave që vazhdojnë të jenë aktivë. Edhe kompania ajrore ka pohuar se, kur ka provuar t’i bie telefonit të pilotëve të avionit, zilja ka rënë, por nga ana tjetër nuk përgjigjet asnjë dhe mesazhet kthehen mbrapsht.   

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/