Bulldogët anglezë pushtuan Mexico City në përpjekje për të thyer rekordin “Guinness” për grumbullimin më të madh të kësaj race të famshme qensh.
Thuajse 1.000 bulldogë, më saktësisht 951, u paraqitën në qendër të kryeqytetit meksikan, sigurisht bashkë me pronarët e tyre.
Organizatorët e shfaqjes thanë se në qytet u mblodhën bulldogë anglezë, pasi kjo ishte raca e kërkuar nga libri i rekordeve “Guinness”, nga i gjithë vendi. Sipas tyre, kurrë nuk ishin mbledhur kaq shumë qen të tillë më parë.
Vapa e madhe, diçka që bullgodët nuk e preferojnë, nuk pengoi organizimin e shfaqjes dhe qindra meksikanë patën mundësinë që të paraqesin qentë e tyre dhe të socializojnë me të tjerë që preferojnë këtë racë.
Të dhënat e grumbulluara i janë dërguar organizatës “Guinness”, e cila pritet që të certifikojë zyrtarisht rekordin.