Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ja ka dalë të bindë homologët e tij të djathtë të mbledhur në Bukuresht në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane për rezolutën në mbrojtje të Fredi Belerit.  

Lëvizja e qeverisë greke vjen vetëm një ditë pasi kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës u dënua me 2 vite burg nga GJKKO. 

Në këtë projekt-rezolutë flitet për shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë së Belerit nga ana e autoriteteve shqiptare që nuk kanë lejuar deri tani betimin e tij si kryebashkiak, raporton Klan News. 

Në draft, veprimet e qeverisë shqiptare ndaj këtij kryebashkiaku të zgjedhur që i përket një minoriteti etnik konsiderohen si lëvizje kundër vlerave europiane. Rezoluta përfshin edhe qëndrimin e prerë të Athinës të muajve të fundit për të ngrirë vendimarrjen e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.