Një ditë pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos janë mbajtur homazhe në Mitropolinë e Shenjtë të Athinës. Të pranishëm ishin Presidentja e Greqisë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Kryetari i Kuvendit zyrtarë të lartë të shtetit dhe përfaqësues të kishës Ortodokse nga Greqia por edhe nga Shqipëria.
Liturgjia Hyjnore u kryesua nga nënkryetari i Sinodit të Shenjtë. Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, mbajti një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.
Trupi primatit të bekuar do të qëndrojë për nderim publik në Athinë deri mëngjesin e të hënës dhe më pas do të transferohet drejt Tiranës. Edhe në Shqipëri do të mbahen po ashtu homazhe, të cilat në shumë qytete të vendit kanë nisur që prej ditës së shtunë.
Dhjetëra besimtarë janë lutur këtë të diel përpara fotos së kryepeshkopit Anastas në meshën e mbajtur në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Mesha e të dielës ka qenë njëherazi dhe një homazh për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit.
Homazhe janë mbajtur po ashtu në Katedralen “Shën Dhimitri” në Berat, dhe në Kishën e “Shën Kollit” në Elbasan ku besimtarët kane ndezur qirinj. Në vendin tonë pritja e trupit të Kryepeshkopit do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 28 janar në orën 16:00.
Homazhet do të mbahen gjatë pasdites se te martës dhe të mërkurën. Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, pas Liturgjisë Hyjnore ndërsa varrimi do të bëhet nën Hapin e Shenjtë të Katedrales, në një kriptë të veçantë që kishte përgatitur vetë Anastasi. Në cermoninë e të enjtes pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Greqise Kiriakos Mitsotakis.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare në një spital në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit.