TIRANE – Lëvizja “MJAFT” denoncon deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se ndryshojnë procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve parlamentare për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën prej 2.500 lekësh. Në raportin “Unë Votoj” të publikuar dje nga “MJAFT” për veprimtarinë e Parlamentit gjatë periudhës 15 shtator – 24 dhjetor 2012 bëhet e ditur se gjysma e procesverbaleve të komisioneve të përhershme ndryshohen në mënyrë që të shtohen deputetët që realisht nuk kanë qenë prezent në mbledhje. 

Sipas raportit, nga ballafaqimi i procesverbaleve rezulton se nga 85 procesverbale, 43 prej tyre janë të ‘manipuluara’ duke i shkaktuar Kuvendit të Shqipërisë një dëm financiar prej 567.500 lekësh. “Vihet re një përkeqësim i situatës sa i përket prezencës fiktive të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare si dhe në ndryshimin e përmbajtjes së proceverbaleve të mbledhjeve nga administrata e Kuvendit. Për periudhën 15 shtator-24 dhjetor janë verifikuar 85 procesverbale zyrtare të marra nga faqja zyrtare e Kuvendit të Shqiperise dhe janë ballafaquar me të dhënat e skuadrës ‘Unë votoj’. Nga ballafaqimi i procesverbaleve rezulton se nga 85 të tilla 43 prej tyre janë të ndryshuara. Kjo shkelje, e pa përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit, por e njohur nga ligji për ruajtjen e dokumenteve zyrtare, i ka shkaktuar Kuvendit të Shqipërisë një dëm financiar prej 567.500 lekë të reja”, – thuhet në raport. 

Një tjetër shkelje e konstatuar nga lëvizja “MJAFT” është edhe mos respektimi i kuorumit dhe rekordin për këtë e mban komisioni kuvendor i Veprimtarisë Prodhuese, i cili ka miratuar 10 projektligje në mungesë të kuorumit, i ndjekur nga komisionet e Ekonomisë dhe Politikës së Jashtme, respektivisht me dy mbledhje si dhe nga komisioni i Medias me 1 mbledhje. 

“Mjaft”: Kuvend, Topalli nuk respekton replikën

Lëvizja “MJAFT”, në raportin për veprimtarinë e Parlamentit gjatë periudhës 15 shtator – 24 dhjetor 2012 ka konstatuar se një ndër katër deputetët më pak aktivë dhe që ka marrë pjesë më pak në seancat plenare ka qenë edhe kryeministri, Sali Berisha. “Arsyeja që është në listën e deputetëve më pak prezent, është fakti që z.Berisha edhe pse paraqitet për disa momente në seancë plenare, ai nuk merr pjesë gjatë votimit të projektligjeve”, – sqarohet në raportin “Unë Votoj”. Por ndër deputetët më pak aktivë dhe më pak prezent në Parlament, është Dritan Prifti, i cili kryeson listën, i ndjekur nga Kastriot Islami dhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. Ndërkohë që më aktivet janë renditur Jozefina Topalli, Gramoz Ruçi, Astrit Patozi dhe Erjon Braçe. 

VOTIMI

Gjatë periudhës 15 shtator- 24 dhjetor 2012 janë konstatuar tre raste të shkeljes së nenit 57 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku përcaktohet karakteri vetjak i votës dhe se ajo nuk mund të delegohet. Konkretisht deputeti i PS, Blendi Klosi ka votuar për kolegun e tij socialist, Artan Gaçi, deputeti demokrat Aurel Bylykbashi ka votuar për veten si dhe kolegun e tij të PD-së, Mehmet Xheka ndërsa deputeti Dashnor Sula ka votuar për veten dhe kolegun në mungesë Sybi Hida. 

REPLIKA

Raporti “Unë Votoj” ka rezervuar kritika edhe për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u ka ndërprerë fjalën deputeteve dhe nuk ka zbatuar të drejtën e replikës për deputetët e opozitës. “Gjatë muajve shtator-dhjetor 2012, vihet re një shtim i rasteve ku Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në mënyrë të vazhdueshme ka ndërhyrë duke i ndërprerë fjalën deputetëve të opozitës, për të replikuar ndaj tyre për çështje të cilat nuk lidheshin me kontekstin e diskutimit. Gjithashtu, për të njëjtën periudhë raportimi janë regjistruar disa raste kur nuk është zbatuar e drejta e replikës e kërkuar nga deputetët e opozitës. Kjo e drejtë ligjore është e sanksionuar në nenin 50 të Rregullores së Kuvendit”, – thuhet në raport.