8 nëntor 2013- Lëvizja Mjaft ka ndërmarrë një peticion kundër importit të armëve kimike nga Siria, ku i kërkon qeverisë shqiptare të të refuzojë kërkesën e importit dhe shkatërrimin e tyre në vendin tonë.

"Nëpërmjet këtij peticioni i bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare që të refuzojë kërkesën për të importuar dhe shkatërruar në territorin e Republikës Shqiptare armët kimike të Sirisë. Import i mbetjeve toksike dhe vdekjeprurëse në territorin …e Shqipërisë bie në kundërshtim me interesin tonë kombëtar, me legjislacionin shqiptar dhe me vetë politikat e qeverisë aktuale që ka ndaluar importin e çdo lloj mbetje në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sjellja, transportimi dhe shkatërrimi i armëve kimike përbën një rrezik të lartë si për jetën edhe për territorin e popullit shqiptar. Sidomos në kushtet kur shtetit shqiptar i mungojnë kapacitetet njerëzore, administrative dhe infrastrukturore për të trajtuar mbetje të një rrezikshmërie kaq të lartë sic janë amët kimike të Sirisë. Për të gjitha këto arsye i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të ndjekë shembullin e shumë vendeve të tjera Evropiane dhe t’i thotë jo importit dhe shkatërrimit të armëve kimike në Republikën e Shqipërisë".