Mjegulla e dendur ka përfshirë sot në orët e para të ditës gjiun detar të Durrësit.
Pavarësisht vështirësive për shkak të kushteve atmosferike, kjo nuk është bërë pengesë në ankorimin e trageteve në port.
Sipas të dhënave nga APD, bëhet e ditur se tragetet “AF Francecsa” dhe “Rigel III” kanë mbërritur nga Bari (Itali) në radën portuale rreth orës 08:15 dhe 07:55.
Po ashtu ka mbërritur edhe kroçera “Sirena” me 670 turistë të huaj në bord. Anija turistike me gjatësi 180 metra u akostua në kalatën 5 të portit më të madh të vendit. Për shkak të mjegullës, anija turistike ka hasur vështirësi në ankorimin në port dhe ndodhur në këto kushte, ajo ka ndezur sirenat duke kërkuar orientim, të cilat janë dëgjuar thuajse në gjithë qytetin.
“DurrësLajm” sjell dhe pamjet e para të mjegullës që kishte mbuluar portin dhe momentin e zbarkimit të turistëve të huaj.
Pas rreth 12 orë qëndrimi në Durrës, është parashikuar që turistët do të vizitojnë qytetet e Tiranës, Krujës dhe Durrësit, e më pas kroçera do të vijojë lundrimin drejt Argostolit (Greqi).