27 nëntor 2015 – Të gjithë ata persona, të cilët ushtrojnë një nga profesionet e lira, si të vetëpunësuar do të paguajë çdo muaj 17.257 lekë më shumë për sigurimet shoqërore. Rritja i atribuohet ligjit të ri “Për sigurimet shoqërore”, i cili përcakton se tashmë kjo kategori do t’i paguajë kontributet mbi bazën e pagës maksimale, që aktualisht është 97 030 lekë. Deri më tani këto profesione i paguanin kontributet mbi bazën e pagës minimale, që është 22 mijë lekë, çka do të thotë se masa totale mujore që pagunin në muaj shkonte në 5.060 lekë.

Sipas përllogaritjeve të reja, vlera që duhet të paguajnë profesionet e lira shkon në 22.317 lekë në muaj. Kësaj shume, kjo kategori duhet t’i shtojë edhe kontributet për sigurimet shëndetësore, që sipas formulës aktuale janë 3.4 për qind e 2 pagave minimale e që sipas përllogaritjeve shkojnë në 1.496 lekë në muaj. Në total, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri personat që ushtrojnë profesione të lira si të vetëpunësuar do të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore 23 813 lekë në muaj ose 285.756 lekë në vit.

Ndërkaq, sa i takon klasifikimit të profesioneve, në të lira, këto ndryshime do të prekin: Avokatët, noterët, mjekët e specializuar, dentistët, dentistët e specializuar, farmacistët, infermierët, mamitë, veterinerët, arkitektët, inxhinierët, mjekët-laborantë, projektuesit, ekonomistët, agronomët, ekspertët kontabël, të regjistruar dhe kontabilistët e miratuar dhe vlerësuesit e pasurive, që janë të vetëpunësuar.

OPOZITA

Tashmë projektligji është duke u diskutuar nëpër komisionet parlamentare, ndërkohë që opozita ka kundërshtuar ndryshimet, duke i cilësuar si të pastudiuara, të pakonsultuara dhe në kundërshtim me Kushtetutën. 2 ditë më parë deputetët braktisën seancën, gjatë diskutimit të ligjit të ri në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ndërsa ligji kaloi vetëm me votat e maxhorancës.

Ndërkaq, sipas kryetares së komisionit, Albana Vokshi, ligji do të sjellë efekte negative, pasi “do të falimentojë mijëra biznese të disa profesioneve (stomatolog, farmacist, etj.), do ketë efekte negative sociale për mijëra familje, përkeqësim të disa shërbimeve, etj.”. Megjithatë, qeveria ka përllogaritur efektin pozitiv, që këto ndryshime pritet të sjellin në buxhetin e shtetit. Në relacionin shoqërues thuhet se: “Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare pozitive, me rreth 1 miliard lekë, bazuar në llogaritjen e rreth 5 mijë profesionistëve të lirë në vend”. /Gazeta Shqiptare

/portali DurresLajm/