Për herë të parë në një spital publik është realizuar ndërhyrja kirurgjikale reimplantim i ureterit të djathtë me anë të laparoskopisë. Operacioni i realizuar me sukses të plotë u krye në spitalin e Durrësit, tek një pacient 71-vjeçar.
Shtetasi P.L, kishte vështirësi në urinim, infeksione të shpeshta urinare, këputje trupi dhe anemi.
Pasi 71-vjeçari bëri analizat dhe ekzaminimet e nevojshme, ekipi i mjekëve arriti në përfundimin se kishin të bënin me një ngushtim të ureterit, gjë që sillte shqetësime tek pacienti.
Ndërhyrja e suksesshme kirurgjikale u realizua nga ekipi i 3 mjekëve kirurgë të spitalit të Durrësit Shkëlqim Ferko, Agron Domi dhe Mendim Megjidi; anestezisti Arben Banushi dhe instrumentari Ergert Mara.
Burime spitalore konfirmojnë për “DurrësLajm” se pas ndërhyrjes së suksesshme, pacienti është në gjendje shumë të mirë shëndetësore.





