Spitali i Durrësit dhe të gjthë repartet e tij kanë rreth një muaj që nuk po furnizohen me medikamentet bazë. Shqetësimi është ngritur nga mjekët e urgjencës, aty ku përplasen qindra pacientë në ditë që kërkojnë një ndërhyrje urgjente.
Urgjenca e Durrësit e ndërtuar shumë vite më pare, nuk përballon dot më fluksin e madh të pacientëve që vijnë aty jo vetëm nga Durrësi por deri nga Rrogozhina e Kavaja.
Është vetëm një Urgjencë në të gjithë rajonin dhe shtretërit e vënë në dispozicion janë në numër të pakët në lidhje me pacientët që i drejtohen për shërbim.
Në të tilla kushte, shtretërit janë vendosur në korridoret e Urgjencës ku marrin serum e ku vizitohen nga mjekët. E si të mos mjaftonte gjithë ky numër i madh pacientësh që shkojnë deri në 300 e 400 në 24 orë, mungojnë edhe barnat më bazike.
Mjekët thanë se po bëjnë maksimumin por pacientët kanë shumë të drejtë kur ankohen. Ata shprehen se po punojnë në kushte ç’njerëzore, pa mjekime, ndërsa të afërmit e pacientëve shpesh konfliktohen me personelin.
Tenderimin e barnave e kryen Ministria e Shëndetësisë dhe nuk i ka lënë asnjë të drejtë spitalit të merret me këtë punë përveç planifikimit.
Por ata të Ministrisë nuk janë në spital e të përballen vetë me pacientët, që të shohin kështu se çfarë ndodh në realitet, kur pacienti ka nevojë për mjekim dhe mjeku s'ka ç'ti bëje.
Znj. Ministre e Shëndetësisë duhet të punojë më shumë e të ketë fjalë më pak, sepse sot spitali i Durrësit nuk ka barna!
Të vijë vetë t'ju kërkojë falje një për një, të gjithë pacientëve që nuk u jep shërbimin që duhet, e po kështu edhe mjekëve që në të tilla kushte janë heronj sepse përballen me zemërimin e njerëzve, zemërim ky që duhet ta dinë ata të Ministrisë kur bëjnë të tilla gjëra.
Bëhet apo jo tenderi, dështon apo jo, në Urgjencë duhet të vijnë barnat të shpëtohet jeta e njerëzve që vijnë këtu po për këtë qëllim e nevojë!





