PRISHTINE, 26 shkurt 2013 – Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, të QKUK-së, një ekip i mjekëve nga Australia, po kryen disa operacione të ndërlikuara tek fëmijët me probleme urogjenitale dhe gastrointestinale. Ekipi nga Australia po realizon këto operacione, në kuadër të vizitës 2 javore në Prishtinë dhe Tiranë.
Operacionet do të vazhdojnë gjatë gjithë javës dhe do të përfitojnë edhe fëmijë të tjera më probleme urogjenitale. Dje dhe sot janë kryer operacione tek fëmijët me anomali të lindura dhe shumë komplekse që përfshijnë organet urogjenitale dhe traktin urinar të sipërm, të kombinuara me anomali te sistemit gastrointestinal.
Operacionet po i kryen Profesor Paddy Dewan nga Spitali Universitar i Melburnit të Australisë dhe Profesor Nexhmi Hyseni, me ekipin e mjekeve të Kirurgjisë së Fëmijëve. Kjo është vizita e tretë e Profesor Paddy Dewan, me ndihmesë të Organizatës Australiane e ashtuquajtur "Kind Cuts for Kids" misioni i së cilës është të ndihmojë ofrimin e shërbimeve mjekësore tek fëmijët me sëmundje të rënda në vendet në zhvillim.
Kjo organizatë ndihmon në avancimin e shërbimeve shëndetësore të këtyre vendeve në edukim, demonstrimin e shkathtësive praktike mjekësore, përkatësisht të teknikave operative të sofistikuara me qëllim transferi të tyre në stafin e mjekëve vendor. Gjithashtu komuniteti shqiptar ne Melburn, e ka mbështetur financiarisht këtë vizitë.