Mjekët okulistë në Durrës kanë dhënë alarmin përsa i përket problemeve me sytë e fëmijëve kryesisht të moshës nga tre deri në shtatë vjeç. Mbi 100 fëmijë të moshave të vogla i drejtohen çdo ditë mjekut okulist në poliklinikën e specialiteteve në Durrës.
Përdorimi i pajisjeve dixhitale, telefonave, ipod-ëve e kompjuterëve nga fëmijët e vegjël, është duke shkatuar mjaft sëmundje që lidhen me të parin dhe me sytë. Ky fenomen ka bërë që të rritet dukshëm përdorimi i syzeve te fëmijët parashkollorë. Janë të shumtë prindërit që përpara se të regjistrojnë fëmijët e tyre në arsimin parashkollor janë të detyruar të vizitojnë te mjeku okulist fëmijët, një herë në vit për të parë gjendjen e syve, dhe nëse kanë dëmtime apo jo në të parë. Këtij vendimi i janë përgjigjur shumë prindër, por vizita te mjeku ka ardhur pas qëndrimit të fëmijëve të tyre për disa orë në ditë para pajisjeve elektronike. Prindërit e pranojnë që fëmijët shpenzojnë shumë kohë para tabletave, dhe kjo gjë është e rrezikshme për shëndetin e syve.
Mjekja okuliste Silvana Kavaja, në një intervistë për “DurrësLajm” ka pohuar se numri i fëmijëve që kanë probleme me të parin, edhe afër edhe larg, si rezultat i përdorimit të teknologjisë është rritur shumë dhe vijon në rritje progresive nga viti në vit.
Mjekja u kërkon prindërve me këmbëngulje që ata të mos iu lejojnë tableta apo kompjuterë fëmijëve të tyre. “Argëtojini jashtë dhe jepuni të vizatojnë me ngjyra sepse iu bën mirë për sytë. E kundërta ndodh nga aparatet dixhitale të cilat kanë ndikim në shumë sëmundje të syve e kryesisht te vogëlushët”, është apeli i mjekes.
K.H.