Mjekët nefrologë, që studiojnë funksionimin e veshkës këshillojnë të konsumojmë sa më shumë ujë si mënyrë shumë e mirë për të pasur veshkë të shëndetshme. Ata janë ndeshur me raste të shumëllojshme të sëmundshmërisë së këtij organi nevralgjik dhe të ndjeshëm duke arritur në një sërë konkluzionesh këshilluese për çdo njeri.

Në pohimet e tyre mësohet se nuk janë të paktë qytetarët të cilët krenohen se nuk pinë ujë, ndërsa mendimi i tyre si specialistë të mirëfilltë dhe të kualifikuar është krejt i ndryshëm. Mjekët thonë se duke pirë ujë ne ndihmojmë shmangien e sa më shumë gurëve në veshka. Dr.Ashim Zogu, nefrolog me një sërë kualifikimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë, si në Kopenhagen e Hillarod të Danimarkës dhe në Bregnes të Austrisë, ka këshilluar mbajtjen pranë të gotsë së ujit në çdo çast dhe në mënyrë të pandërprerë.

“Dëgjoj shumëkënd që thotë: “Unë nuk pi ujë”, por ky nuk është aspak sinjal i mirë, sepse dëmton shëndetin në mos sot, nesër”,- thotë Zogu, internist nefrolog. Nisur nga literatura akademike dhe përvoja 35-vjeçare, nefrologu, që sot shërben në spitalin e Durrësit, pohon se uji është i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm me asnjë lloj pije tjetër.

Veshka dhe uji

Çdo person duhet të konsumojë së paku 2 litra ujë në 24 orë për të kryer detyrën ndaj funksionimit normal të veshkës. I këtij mendimi është dr. Ashim Zogu i cili është ndër të parët nefrologë të specializuar në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Danimarkë e Austri. Kjo sasi uji sipas tij është e domosdoshme dhe garanton funksionimin normal të veshkave.

Nga ana tjetër personat që djersijnë, bëjnë punë fizike, lodhen, përdorin forcën e muskujve, etj. sasia e ujit shkon në 5 litra e më shumë, ndërkohë që në verë apo ditë me temperatura të larta mund të konsumojmë më shumë se 2 litra ujë. “Të mos pish ujë do të thotë të favorizosh formimin e gurëve të veshkave, sepse konsumi i paktë i ujit çon në formimin e gurëve”,- thotë dr. Zogu. Guri krijohet edhe tek njerëzit të cilët nuk kanë defekte të lindura, por në rastin e “krenarisë” së personave të cilët nuk pijnë ujë, rrisku për të dëmtuar veshkën është i pashmangshëm. Nga ana tjetër dr. Ashim Zogu nuk vendos ndonjë kufi për sasinë e ujit që duhet të konsumohet nga çdo person.

Ai pohon se nuk ka kufi, 2-3 apo 4 litra. Por nga ana tjetër ndan rastet e etjes, pra rastet e kërkesës së trupit në mënyrë të ngutshme për ujë, nga rastet kur njeriu e pi me dashje. Nëse trupi ka etje dhe qytetari pi sasi të mëdha uji duhet detyrimisht të kryhen teste, analiza për të parë shkakun e etjes, pasi veshka e humb ujin ngaqë ka pësuar çrregullim. Internist Ashim Zogu aktualisht ndjek në repartin e kirurgjisë së brendshme ecurinë e pacientëve në sallën e reanimacionit duke afruar përvojën e tij të kualifikuar.

Çdo person duhet të konsumojë së paku 2 litra ujë në 24 orë për të pasur vëshkë të shëndetshme. Kjo sasi uji është e domosdoshme dhe garanton funksionimin normal të veshkave. Nga ana tjetër personat që djersijnë, bëjnë punë fizike, lodhen, sasia e ujit shkon në 5 litra e më shumë, ndërkohë që në verë apo ditë me temperatura të larta mund të konsumojmë më shumë se 2 litra ujë

Në të mirë të funksionimit të veshkës Zogu bën të ditur se në tavolinat familjare nuk duhet të mungojë gota me ujë të pijshëm. Ai gjykon se është disa herë më mirë një gotë ujë sesa disa litra lëngje të tjera. Të sëmurët nga veshkat përgjithësisht janë shtuar, megjithatë brenda këtij laboratori të madh të trupit ka edhe sëmundje që kanë pësuar rënie të ndjeshme. Një ndër këto të fundit është steptokoku që shkaktohet nga mungesa e higjenës së personave dhe më gjërë. Edhe epidemitë që shkaktohen prej tyre ndeshen më rradhë.

Por janë shtuar rastet e sëmundjes së veshkës kryesisht nga dëmtimi i saj prej diabetit, pasi qelizat me këmbëza infektohen lehtë duke krijuar diabet. Edhe të sëmurët me gurë në veshka janë shtuar, ndërsa tumoret ndeshen më rrallë. Dr. Ashim Zogu, që mbështetet edhe në statistikat zyrtare, thotë se tumoret në veshka krijohen nga faktorë të tillë si shtimi i rrezatimeve, bërja e radiografive më shumë sesa normat e lejuara në ekzaminime radioaktive dhe konsumimi i disa medikamenteve.

Veshka e sëmurë

Ka shumë lloj sëmundje të veshkës. Rastet më të shumta janë të glomeulit (lëmshit) që filtron urinën, sëmundja e tubave përcjellëse të urinës, infeksioni i rrugëve urinare, gurët në veshka etj. Shumë sëmundje nisin brenda në veshkë siç është glomerulo nefriti, sëmundje që prek procesin e filtrimit të gjakut dhe prodhimit të urinës.

Veshka ka shumë mistere, është e ndërlikuar, ndaj edhe rrisqet janë disa llojesh. Ky organ mban përgjegjësinë e madhe dhe të pazëvendësueshme për mbajtjen e ekuilibrave të lëndëve dhe kripërave minerale në organizëm, rregullon balancën e ujit, kripërave dhe PH e gjakut. Në rastet që trupi ka më shumë kripë a magnez, e nxjerr jashtë atë. Në rastet kur ka më pak e ruan dhe e strehon duke u kujdesur për ekuilibrat. Dr. Ashim Zogu bën të ditur se kalkulozat, gurët në veshka, sa vijnë e shtohen si raste.

Rreth 99 për qind e gurëve formohen në kanalet e veshkave, tek thithka ku mblidhet uji për të dalë jashtë trupi. Një mundësi më shumë për ta mbrojtur këtë organ jetik është ushqimi, higjena, uji dhe sporti. Mjekët të gjitha këto i fusin tek termi Stil i jetës dhe që në fokus kanë kujdesin për shëndetin. Dr. Zogu duke u mbështetur në statistikat e spitalit thotë se më shumë nga kalagjenozat preken femrat, kurse kalkuloza prek më shumë meshkujt. Ndërkohë mosha më e rriskuar është ajo pas të 40-ve dhe mosha e tretë.

Fëmijët përgjithësisht janë të përjashtuar edhe për faktin se steptokoku ka humbur terren të konsiderueshëm pas rritjes së higjenës personale. Nefrologu me përvojë të madhe ka sqaruar se asgjë nuk duhet lënë pas dore. “Edhe nga një dhëmballë e prishur apo disa puçra në trup e krahë mund të dëmtoni rëndë veshkën”,- thotë dr. Zogu.

Rastet e mësipërme ndeshen çdo ditë megjithatë “kjo nuk presupozon se sa herë që konstatojmë një dhëmballë të prishur apo edhe puçrrime të trupit të shqetësohemi e të mendojmë se kemi dëmtuar veshkën”.  Këto raste mbartin mikrobe dhe gjatë depërtimit në enët e gjakut trokasin në veshka, në zemër, në tru. Pacienti i sëmurë nga veshkat ka shumë rrisqe dhe jeta e tij vështirësohet së tepërmi.

Një nga shkaktarët me predispozicion tepër të lartë për të dëmtuar veshkën është edhe tensioni i lartë. Nefrologët janë të bindur dhe argumentojnë se tensioni i lartë i pamjekuar godet trurin, zemrën dhe veshkën. Në jo pak raste preken të të trija apo ose ka prevalencë organi më pak imun. Durrësi ka laboratore shumë të mira për kontrollin e funksionimit të veshkës dhe specialistë cilësorë si Roland Katroshi, Shkëlqim Ferko, Anton Ndoj, ndërsa ka trashëguar përvojën e standarteve kombëtare të dr. Prokop Lala, njëri nga themeluesit e kirurgjisë së sëmundjeve të brendshme në qytetin bregdetar.

“Kirugjia në veshka ka një traditë e përvojë prej më shumë se 60 vitesh në këtë qytet”- kujton dr. Ashim Zogu. Për vite e vite kirurgjinë e veshkës e kanë bërë kirurgët e përgjithshëm, të cilët tashmë ia kanë lënë vendin urologëve. Gjatë arsyetimeve të tij, ai thotë se dëmtimi i rëndë i zemrës nuk të jep jetë as tre-katër sekonda, ndërsa veshka diçka më shumë, tre-katër ditë.

Në veshka pushon së funksionuari në të grumbullohen mjete toksike, elektroitet. Ato duhet të dalin jashtë dhe në pamundësi për t’i shkuar ciklit deri në fund e ndëshkojnë rëndë veshkën. Për të mos shkuar drejt asfiksisë së këtij organi të rëndësishëm mjekët këshillojnë qytetarët të kryejnë analiza sipas rekomandimeve. Kështu kemi ekzaminime të thjeshta si analiza e urinës, kontrolli i përqendrimit të azotit në gjak, analizën që përcakton funksionin glomeularë (sa ml prodhon veshka në 24 orë) dhe të gjitha së bashku nuk janë fare të kushtueshme.

Nga ana tjetër ka edhe ekzaminime të një standarti më të lartë dhe që kruhen vetëm pas rekomandimit të mjekut. Ekzaminime të tilla janë ato të imazhërisë si: Eko, më pak e kushtueshme dhe pa asnjë ndikim rrezatimi; radiologji dhe rezonancë manjetike. Nga të tri ekzaminimet, radiografia paraqet probleme rrezatimi, por vetëm në ato raste kur bëhet shpesh dhe pa rekomandim.

“Veshka nuk duhet lënë të shkojë në stadin uremik, pasi pacienti përfundon në dializë”,-pohon dr. Zogu. Por nefrologu thotë gjithashtu se edhe pacientët me dializë jetojnë gjatë, por duhet treguar kujdes në dializë dhe vet i rriskuari duhet të tregohet korrekt me këshillat që merr nga mjekët. Transplanti është disa herë më i mirë për cilësinë e jetës së pacientit krahasuar me dializën, ndërkohë që dr. Ashim Zogu bën të ditur se edhe për shtetin është më pak i kushtueshëm transplanti sesa dializa.

Vetëm ilaçi i quajtur Eritropoetikë kushton 60 mijë lekë në muaj dhe kostoja paguhet nga shteti. Ky medikament është i domosdoshëm, sepse nxit prodhimin e rruazave të kuqe. Zogu thotë se dializa është barrë shumë e rëndë për ekonominë e një vendi duke marrë parasysh edhe faktin se numri pacientëve është shumë i madh, si në Durrës edhe në shkallë vendi. Ndërprerja e transplantit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka detyruar shërbimin shëndetësor të kthejnë kokën nga laboratoret e dializës.