30 shtator 2015 – Shumë njerëz kanë frikë të shkojnë te dentisti për shkak të dhimbjes nga gërryerja e dhëmbëve. Por frikës mesa duket po i vjen fundi! Një teknologji e re e zbuluar nga një firmë në Britani, premton të eliminojë nevojën për pastrim mekanik të dhëmbëve të prishur, duke përshpejtuar një proces natyral rregullimi.

Për më tepër se 100 vjet, dentistët i kanë riparuar kavitetet duke hequr pjesën e prishur të dhëmbit me një trapano dhe duke e mbushur pastaj vrimën e krijuar me metal, ose material plastik. Në varësi të thellësisë së prishjes, kjo metodë mund të jetë e pakëndshme e madje e dhimbshme për pacientin dhe ajo duhet përsëritur vazhdimisht.

Por, kompania britanike e quajtur Reminova, ka zbuluar një metodë për shpejtimin e ri-mineralizimit natyral të kaviteteve në fazë të parë.

"Ne kemi gjetur një mënyrë për përshpejtimin e këtij procesi: duke futur kalçium të pastër dhe fosfate te smalti, që përmes një procesi natyral do të zerë vend te dhëmbi."

Pas pastrimit të një prishjeje në fazë të hershme përmes një metode që nuk kërkon gërryerje, dentisti e mbulon atë me një solucion minerali dhe aplikon një korent elektrik, tepër të dobët, që pacienti nuk e ndjen.

Minerali i depozituar forcohet shpejt, duke mbushur kavitetin e krijuar. Studiuesit thonë se kjo metodë mund të jetë veçanërisht e mirë për fëmijët.

"Nëse fëmijët kanë një eksperiencë më të mirë kur shkojnë te dentisti, pa gërryeje dhe gjilpëra për një mbushje rutinë, ata nuk do të kenë më frikë të kontrollohen rregullisht."

Dentistët theksojnë se metoda e re është shumë e efektshme në kavitetet e fazës së hershme, gjë që i bën të nevojshme kontrollet e rregullta tek dentisti. I gjithë trajtimi zgjat thuajse aq gjatë, sa një procedurë e rregullt gërryerjeje dhe mbushjeje e dhëmbit.

Studiuesit na kujtojnë se larja e rregullt e dhëmbëve me pastë me përmbajtje flori, ndihmon para së gjithash në parandalimin e prishjes së dhëmbëve.

/portali DurresLajm/