Mjekja Mira Kauri, këshilltare e djathtë në këshillin bashkiak, është ndër zërat e rrallë të femrave të PD-së që bën oponencë duke përfaqësuar politikën e djathtë në këshill.
Ish-deputetja dhe këshilltare e vjetër, nuk është pajtuar aspak me projektvendimin e paraqitur për taksën e pasurisë në këshillin bashkiak.
“Është e papranueshme ta barazojmë fshatin me qytetin, të barazojmë një biznes në fshat me një biznes në qendër të Durrësit, një butik në Ishëm me një butik në qendër të Durrësit. Ju thoni se nuk është faji i bashkisë, por i ligjit të Edi Ramës, mendoj që për të gjitha zërat e taksave përsa i përket fshatit të ulen në masën 30%”, tha Kauri.
Një tjetër pikë e ankimuar në lidhje me taksën e pasurisë, është për banesat e privatizuara para vitit ‘93.
Drejtori i tatim taksave Agron Dajko, u detyrua ta shpjegojë në këshill këtë pikë e tha që të gjitha asetet e bashkisë që janë dhënë për njerëzit në nevojë përjashtohen nga taksat.
Mjekja Kauri tha se ligji është tërësisht abuziv, pasi favorizon bizneset e mëdhenj duke i barazuar me të vegjlit dhe në këtë pikë kryebashkiaku Dako tha se ndan të njëjtin mendim me mjeken.
Vendimi i qeverisë për unifikimin e taksës së pasurisë ka çelur mjaft debat dhe nuk mori miratimin e Këshillit Bashkiak Durrës. Pavarësisht se mori shumicën e votave, nuk arriti të siguronte dy të tretat e kuorumit në këshill.
K.H.





