Një kirurg në shtetin indian të Gujarat-it është arrestuar për një operacion cesarian në gjendje të dehur ndaj një gruaje shtatzënë, e cila humbi jetën së bashku me foshnjen sipas "BBC".
Mjeku u konfirmua i dehur pas një testi alkooli, ndërsa autoritet po hetojnë nëse vdekjet e nënës dhe fëmijës u shkaktuan nga neglizhenca apo si pasojë e arsyeve të tjera mjekësore.
Dr. PJ Lakhani është një mjek me eksperiencë dhe ka punuar në Spitalin Shtetëror Sonavala përgjatë 15 viteve të shkuara.
Pacientja Kamini Chachi u soll në Spital të hënën me dhimbje lindjeje. Media lokale tha se familjarëve u tha se fëmija kishte vdekur, teksa nëna kishte gjakderdhje të madhe. Familja vendosi ta dërgojë në një spital privat, por gruaja ndërroi jetë rrugës.





