LUSHNJE – Një mjek i Spitalit të Lushnjës është dënuar në korrik të vitit 2010 nga Gjykata e Apelit të Vlorës me 1 vit heqje lirie për akuzën "Mjekim i pakujdesshëm", ndërsa nuk ka bërë as edhe 1 ditë burg. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 2 vjet e 6 muaj nga dhënia e vendimit, kirurgu Sami Osmani vijon punën në spital. Lajmi bëhet me dije nga familja Gaxheli, banuese në qytetin e Lushnjës. Jasmin Gaxheli pohon se në qershor të vitit 2006, pas një aksidenti në punë, humbi jetën vëllai i tij, Çlirimi. Ai thotë se i vëllai i vdiq në duar, për faj të mjekimit të gabuar të mjekut Osmani, të cilin e denoncuan dhe hapën proces gjyqësor. Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Lushnjës e shpalli të pafajshëm kirurgun, Apeli i Vlorës e dënoi atë me burg. Jo vetëm kaq, por familja e viktimës ka hapur një tjetër proces ndaj 54-vjeçarit Osmani, duke i kërkuar atij një dëmshpërblim prej 150 mijë eurosh. Seanca e radhës gjyqësore është zhvilluar pak ditë më parë. Ky lajm konfirmohet edhe nga burime zyrtare të Spitalit të Lushnjës.
I kontaktuar në telefon, drejtori i këtij institucioni, Bert Sanxhaku, dje deklaroi se është e vërtetë që mjeku Sami Osmani është dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës. I pyetur se përse kirurgu i dënuar vijon punën, Sanxhaku sqaroi se "sot (dje) e kam thirrur Sami Osmanin dhe i komunikova pezullimin nga puna. Ai jo vetëm që është dënuar me 1 vit burg, por i është hequr dhe licenca për 1 vit. Mjeku ka vijuar punën deri sot (dje), pasi ne kemi kërkuar të na vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë nga Gjykata e Lartë. Mesa jemi të informuar, Osmani ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, por kërkesa e tij nuk është shqyrtuar. Nuk mund të mbaj në punë një punonjës të dënuar, pasi i bie të akuzohem për korrupsion pasiv". Familjarët e Çlirim Gaxhelit shprehen se janë të habitur nga fakti se përgjatë gjithë kësaj kohe, organet e drejtësisë nuk e arrestuan Sami Osmanin. i kontaktuar nga 'Gazeta' në lidhje me mosarrestimin, kreu i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, Arjan Bozho, mbrëmë pohoi se nuk është në dijeni të kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Jasmin Gaxheli tregon sesi i vdiq në duar i vëllai për shkak të kirurgut Sami Osmani.
Si ndodhi ngjaja që u aksidentua vëllai juaj, Çlirimi?
Unë isha në punë, ja këtu në berberhane dhe po qethja një klient. Kur mora vesh që Çlirimi kishte rënë nga një pallat ku po punonte në një lartësi prej 5 metrash. Shkova e takova dhe e shoqërova për në spital. Në repartin e kirurgjisë ishte mjek Sami Osmani. I thashë doktor shikoje, nëse i bën derman bëje, në të kundërt më jep shkresë që ta çojë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Osmani më tha që do ta shikoj një herë unë dhe pastaj çoje edhe në Kinë për ta shëruar. Pasi i bëri grafinë doktor Osmani, i bëri edhe dy gjilpëra dhe e la me aq. Vëllai u bë më keq pas 4 orësh. Ngjarja ka ndodhur më 24 qershor të vitit 2006. Në atë kohë, në spital punonte edhe ime shoqe, pasi tani është në pension. Edhe ajo u kujdes për Çlirimin.
Çfarë bëtë më pas?
Nuk mund ta shikoja vëllanë në atë gjendje. Mora vëllanë, gruan dhe mezi më dhanë një infermier që të na shoqëronte dhe u nisëm për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. 200 metra para se të hynim në spital, vëllai më vdiq në duar.
Si vijuan ngjarjet?
Denoncuam mjekun për mjekim të gabuar dhe u hap procesi gjyqësor në Gjykatën e Lushnjes. Kjo gjykatë e shpalli të pafajshëm mjekun Sami Osmani. Edhe pse erdhën dy grupe ekspertësh nga Tirana, të cilët u pyetën në sallën e gjyqit nëse kishte mundësi shërimi viktima, apo duhej të bënin ndërhyrje të detyrueshme. Ekspertët pohuan se viktima duhej që të çahej në ije që t'i dilte hemorragjia e brendshme. Sipas tyre, im vëlla kishte mundësi që të shpëtonte, por kjo gjë nuk u bë në spitalin e Lushnjes. Çlirimi kishte rënë edhe herë tjetër nga lartësia, por kishte shpëtuar.
Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Lushnjës, si vepruat?
Ne e apeluam vendimin. Ndërkohë, në korrik të vitit 2010 Gjykata e Apelit e Vlorës e dënoi mjekun e Lushnjës me 1 vit burg. Më pas mësuam se Sami Osmani kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Kanë kaluar më shumë 2 vjet e 6 muaj nga vendimi i dhënë dhe Osmani nuk u arrestua. Ai vazhdon të punojë si mjek në spitalin e Lushnjës.
Burime nga spitali i Lushnjës pohuan se familja e viktimës ka kërkuar dëmshpërblim nga mjeku Osmani dhe se kanë hapur proces tjetër gjyqësor. Sa e vërtetë është kjo?
Këtë gjë nuk e di me shumë saktësi, por nipi, djali i Çlirimit, më tha se një mik i tij avokat në Tiranë, pasi kishte parë vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, i kishte thënë se i lind e drejta për të kërkuar dëmshpërblim. Ai ka bërë padi civile dhe procesi gjyqësor është në zhvillim e sipër.
Po për mjekun Sami Osmani, çfarë mund të ma thoni?
Çfarë të them. Gjykata e Lushnjes e nxori atë të pafajshëm. Apeli i Vlorës e dënoi me 1 vit burg e 1 vit heqje licence. Ai bëri rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nuk u shqyrtua. Ku ta di unë se çfarë ka bërë ai që nuk u fut në burg. Ndërkohë që vendimi ishte i formës së prerë. Organet e drejtësisë duhet ta thonë se pse nuk u ekzekutua asnjëri prej 2 vendimeve të marra.





