Deputetja e Partisë Socialiste për Durrësin, Klodiana Spahiu, njëkohësisht mjeke, ka dënuar dhunën e ushtruar mbrëmjen e kaluar ndaj kolegut Gerald Kola, i cili u godit me tullë në kokë nga një pacient i dehur në Urgjencë.
Spahiu shkruan se "dhuna ndaj mjekëve është shëndërruar në fenomenin më të shëmtuar që po godet ashpër dhe në mënyrë të përsëritur ato që duhet të ishin më të mbrojturit dhe më të respektuarit e shoqërisë ."
Sipas saj, "të shërbesh në urgjencën mjekësore është punë sa e vështirë aq edhe humane. Aty përballesh me betejat më të ashpra midis jetës e vdekjes dhe janë pikërisht këta mjekë e infermiere që shërbejnë dhe përballojnë një fluks pune të jashtëzakonshëm."
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja Spahiu apelon se "çdo dhunues duhet të marrë dënimin e merituar dhe për të shuar këtë fenomen të turpshëm duhet përkrahja dhe sensibilizimi i gjithë shoqërisë."





