Mjeku i njohur, Ilir Shani, sqaron se nuk është i vetizoluar prej koronavirusit dhe se është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Në një komunikim me DurrësLajm, dr. Shani sqaron se postimi i tij një natë më parë, i referohej një mikut të tij të ardhur nga jashtë, e jo atij vetë.
“Një miku im i ardhur nga Holanda është takuar dhe ka hëngër drekë në Muriqan së bashku me disa persona të tjerë me dy pacientët e parë të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë. Por ashtu siç e shpjegoj edhe në postimin tim, ai së bashku me gjithë familjen e tij nuk ka pasur asnjë shqetësim shëndetësor ditët e fundit”, sqaron mjeku Shani.
Mjeku sqaron më tej se gëzon shëndet të plotë dhe është në krye të detyrës dhe njëkohësisht përsërit apelin e bërë mjaft herë përgjatë këtyre ditëve nga bluzat e bardha që qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë të gjitha daljet e panevojshme, derisa rreziku nga përhapja e koronavirusit të kalojë.
Në të njëjtën kohë, mjeku i njohur e konsideron lajm të mirë faktin se”Edhe pacientja qe ndenji 7 dite ne spitalin e durresit nuk duket se ka infektuar shume njerez.
Teknikisht rreth 10 dite pas izolimit te rasteve te para duhet te ishim ne pikun e epidemise duket se virusi i ardhur nuk eshte shume agresiv ose kushtet tona klimaterike nuk e favorizojne”.
Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në vend rezultojnë të prekur nga koronavirusi 33 persona, mes të cilëve edhe një mjek i spitalit të Durrësit, që ka qenë në kontakt me pacienten 73-vjeçare që humbi jetën.





