Mjeku Tritan Kalo ka kritikuar publikisht përfaqësuesit politikë në vend të cilët i cilëson si “gjithologë” të sëmurë.
Në një postim në Facebook, Kalo shkruan se Shqipëria gjendet në një situatë të vështirë jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike e politike ndaj sjell në vëmendje një shprehje të Albert Ajnshtain.
“Një rikujtesë në këto “Kohë Covidiane”, për gjithollogët tanë militantë të sëmurë të të gjitha kaheve politike, kur Shqipëria jonë gjendet përballë sfidave shumë-shumë të mëdha jo vetëm shëndetësore. Por edhe ekonomike e politike: “Po deshe të jesh i mençur, mësoju të pyesësh me mend, të dëgjosh me vëmendje, të përgjigjesh i qetë dhe të pushosh së foluri, kur nuk ke çfarë thua.” (një thënie nga “i pak dituri” Albert Ajnshtain)…. Demokracia e vërtetë dhe jo demon-kracija “Made in Albania”, është në vetvete një unitet veprimesh në diversitetin e mendimeve. Por vetëm e vetëm kur veprimet e bazuara në këto mendime, ndjekin të gjitha udhën e pa gropëzuar drejt mbrothësimit socio-ekonomiko-politik të Shqipërisë, dhe jo atë të theqafjes së saj si deri më sot!!!…Quo vadis Shqipëria ime”, shkruan mjeku i njohur.





