Mjeku i njohur Artan Koni ka komentuar ne nje studio televizive vendimin e fundit të kryeministrit Edi Rama për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës anti-Covid edhe në ambjente të hapura.
Sipas tij, ky vendim është allogjik.
“Ky vendim çfarë thotë? Ky vendim thotë se edhe kur nuk ke person afër edhe nëse je i vetëm rrugë, për sa kohë jeni jashtë shtëpisë suaj duhet të keni maskë. Po kjo është vendim alogjik”, u shpreh mjeku.
Besmira Pelushaj: Ka logjikë mbajtja e maskës në automjet kur je vetëm ose kur je me familjarë me të cilët ke qenë edhe në shtëpi?
“Kjo nuk ka asnjë logjikë. Siç nuk ka asnjë logjikë që kur jemi në autobus të mbajmë maskë e më pas kur të futemi në restorant për të ngrënë të mos mbajmë maskë. Të palogjikshme. Nuk ka një formulim të saktë. Po nuk e zbatuat atëherë ka gjobë, kjo është akoma më absurde“,- tha Koni.
“Nuk ia dalim duke nxjerrë ushtrinë, policinë apo blindat në rrugë. E pamë gjatë karantinës që nuk ia dolëm”, shtoi mjeku.
Sa i përket rasteve të reja, që po rriten çdo ditë, mjeku Koni theksoi se po bëhen pak testime dhe se numri i rasteve është stabël pasi edhe numri i tamponëve është po stabël.
“Nuk dimë akoma sa raste kemi. Kemi një numër stabël sepse bëjmë një numër stabël testesh. Por OBSH thotë se nëse ju dalin 10% pozitivë atëherë po bëni pak testime”, u shpreh gjatë intervistës së tij për RTV Ora mjeku Artan Koni.





