ZELANDE E RE, 12 shkurt 2013 – Pirja e një sasie të madhe Coca Cola ka rezultuar të jetë “faktor thelbësor” për vdekjen e një 30 vjeçareje në Zelandën e Re. Konfirmimi ka ardhur nga një mjek ligjor, i cili ka kryer autopsinë e gruas së re.

Natasha Harris, e cila vdiq tre vjet më parë nga një infakt, pinte më shumë se 10 litra Coca Cola në ditë. Kjo sasi është dy herë më e madhe sesa niveli limit i kafeinës që duhet të marrë njeriu në ditë dhe 11 herë më i lartë se sasia e rekomanduar e sheqerit.

Por nga ana tjetër kompania amerikane ka deklaruar se kjo nuk mund të jetë provë se Coca Cola ka shkaktuar vdekjen e gruas. Nëna e 8 fëmijëve vuante prej vitesh nga problemet shëndetësore.

Familja e saj ka pohuar se 30 vjeçarja kishte krijuar varësi ndaj pijes në fjalë dhe niste të dridhej nëse nuk i jepnin Coca Cola. Asaj i kishin rënë të gjithë dhëmbët për shkak të kalbjes nga sasia e madhe e sheqerit që fuste çdo ditë në trup.