Kanë dalë detaje të reja lidhur me kirurgun 72-vjeçar në Korçë, i cili është arrestuar për ngacmim seksual ndaj një vajze 21-vjeçare.
Sipas avokates së 21-vjeçares, Refxhei Tola, ky nuk është rasti i parë i mjekut, pasi ndaj tij ka disa denoncime, madje dhe 33-vite më parë.
“Sot flas në cilësinë e një gruaje dhe të një nëne. Arsyeja pse kërkova të jap këtë deklaratë është sepse kemi marrë edhe disa denoncime të tjera, të cilat datojnë edhe para 33 vitesh, ndërsa i fundit është bërë 1 vit më parë, për të njëjtat raste abuzimi që doktori në fjalë ka kryer ndaj vajzave dhe grave të tjera. Është një rast i përsëritur. Si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë një mjek në sistemin spitalor, duke dhënë shërbime për individë të ndryshëm, për vajza dhe djem, në kushte të caktuara? Është një çështje shumë sensitive. Vlerësoj vajzën që denoncoi. Drejtësia e re duhet të reagojë nëpërmjet këtij shembulli, që maniakët, abuzuesit dhe pedofilët të mos shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion, as ato që u takojnë avokatëve mbrojtës. Ne jemi një ekip prej 3 avokatësh që po asistojmë viktimën e abuzuar, por jemi të gatshëm të asistojmë edhe të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë. U bëj thirrje grave të vijnë të denoncojnë. Ne ju garantojmë anonimatin e plotë. Në Shqipërinë tonë, ky fenomen ndodh rëndom dhe nuk merren masa të caktuara ndëshkimore, por raste të tilla përfundojnë duke u trajtuar vetëm me arrest shtëpie“, u shpreh avokatja.
Kallëzimi i së resë u regjistrua këtë të hënë, 11 maj. Sipas denoncimit, e reja ishte paraqitur në urgjencë për dhimbje barku dhe të vjella, dhe pas kontrolleve mjekësore ishte vendosur që të nënshtrohej një ndërhyrjeje për apandesit. Gjatë procedurës, mjeku dyshohet ta ketë ngacmuar seksualisht, duke e prekur në pjesë intime nën pretendimin se po kryente kontroll mjekësor.
21-vjeçarja ndodhet ende e shtruar në Spitalin e Korçës, ndërsa policia ka marrë dëshminë e saj dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj kirurgut.
Kirurgu rezulton i dënuar në vitin 2014 nga Gjykata e Korçës me 2.5 vite burg për “korrupsion pasiv” dhe iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit për 6 muaj.





