Pas shpërthimit me lëndë eksplozive për herë të dytë me objekt fabrikën e përpunimit të mbetjeve spitalore, i ka sosur durimi pronarit të fabrikës së mermerit, i cili i ka dhënë me qira objektin mjekut stomatolog Arlind Lala.
Mjeku 33-vjeçar Lala ka ndërtuar inceneratorin në një prej ambienteve të fabrikës së mermerit, që e ka marrë me qira. Krahas fabrikës së përpunimit të mbetjeve spitalore, aty funksionon prej vitesh edhe fabrika e përpunimit të mermerit.
Pas shpërthimit të ndodhur mbrëmjen e shkuar rreth orës 22 e 55 minuta, pronari i objektit është grindur sot me median. Ai tha se prej kohës kur nisi protesta e banorëve të Shijakut, puna e tij ra në minimum, ndërsa u konsiderua e tepërt hedhja e eksplozivit në ambientet që ai i ka dhënë me qira mjekut Lala.
Për të shuar zemërimin e banorëve të Shijakut për këtë fabrikë, babai i mjekut stomatolog deklaroi se ata janë tërhequr nga ky aktivitet, por pavarësisht kësaj, kërcënimet nuk kanë ndalur ndaj tyre.
Pas shpërthimit në klinikën dentare, shënjestra e radhës ka qenë inceneratori, firma që përpunon mbetje spitalore por që gjendet brenda fabrikës së mermerit të marrë me qira prej mjekut.
Për pasojë, janë shkaktuar dëme të vogla materiale te dera e dhomës frigoriferike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një copë fitil zjarr-përcjellës.
Autorët janë ende të paidentifikuar, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tyre. Të dyja rastet e shpërthimeve nuk janë zbardhur ende nga policia.
K.H.





