Dy shqiptarë të moshës 41 dhe 45 vjeç janë arrestuar nga karabinierët në Varese, me akuzën për vjedhje të automjeteve dhe të apartamenteve nën kërcënimin e armëve.
Operacioni për arrestimin e pjesëtarëve të kësaj bande ka nisur që në shtator të vitit të kaluar, në bashkëpunim edhe me zyrat e Policisë Gjyqësore Polaria në Malpensa. Nga vëzhgimi i kamerave u bë i mundur zbulimi i aktivitetit dhe itinerarit të përshkruar prej tyre gjatë vjedhjes së automjeteve.
U zbulua se ata kishin dy garazhe nëntokësore, ku grumbullonin makinat e vjedhura me qëllim që vendndodhja e tyre të mos zbulohej nga sistemet satelitore.
Dy të arrestuarit akuzohen për vjedhjen e 5 “Range Rover”, një makine të tipit “Jaguar F”, grabitje bizhuterish si dhe për vjedhje nën kërcënimin e armëve brenda shtëpive në provincat e Ravenna-s dhe Brescia-s.
Aksioni për kapjen e tyre u bë në momentin kur ata po vidhnin një “Range Rover” brenda një terminali. Në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, automjeti u përmbys për shkak të shpejtësisë së madhe.
Personat e kapur ishin pjesë e një bande prej 4 personash, të gjithë me kombësi shqiptare.





