1 tetor 2015 – Libretisti dhe regjisori i njohur Haxhi Rama ka ftuar sot kolegë, shokë e miq për të festuar së bashku 50-vjetorin e krijimtarisë së tij si profesionist.
Megjithëse vazhdon të shkruajë dhe të drejtojë trupat e varietesë në qytete të ndryshme të vendit, Xhixhi, siç e thërrasin të gjithë, ka preferuar të ndalojë dhe të reflektojë në këtë stacion gjysmëshekullor.
I rritur në një familje qytetare dhe me dhunti të dukshme të humorit, Xhixhi përfundoi shkollën e mesme “16 shtatori” në qytetin e Durrësit, për të vijuar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dega e “Dramës”.
Ai u emërua si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” të vendlindjes në vitin 1965, pak muaj pas ndërtimit të godinës aktuale të këtij teatri.
Krijimtaria e Haxhi Ramës, në fakt ka nisur në vitin e largët 1958, kur në një nga gazetat e kohës u botuan dy epigrame të tij. Ishte fillimi i pasigurt i një pasionanti të zjarrtë, besimi i të cilit mori formë me tekstin e këngës “Lemza”, që e bëri Haxhi Ramën bashkëpunëtor të kompozitorit të mirënjohur Agim Krajka, ndërsa këngët e tij u bënë hite të kohës nën interpretimin e këngëtarëve të mëdhenj, duke filluar nga Vaçe Zela.
Gjysmë shekulli krijimtari në dy libra BIS
Takimi i sotëm është një formë tjetër e komunikimit të artistit të njohur me artdashësit durrsakë. Dy vjet më parë ai zgjodhi një formë tjetër kontakti me shikuesit dhe vlerësuesit e shumtë të krijimtarisë së tij teatrale në harkun e pesë dekadave të fundit.
Komeditë, skeçet, tekstet e këngëve dhe poezitë e shkruara prej tij ndër vite, dhe që janë “ngjitur” në skenë me dhjetra herë, të interpretuara nga artistë të gjinive të ndryshme, erdhën “të heshtura”, në faqet e dy përmbledhjeve, me titullin “BIS” dhe “BIS plus”.
Një titull që të kujton suksesin dhe duartrokitjet e merituara, që pjesa më e madhe e veprimtarisë së Mjeshtrit të Madh, Haxhi Rama, ka patur në skenat e të gjithë vendit.
Është një rrugëtim në kahun e kundërt me prozën dhe poezinë e zakonshme, e cila përgjithësisht mbërrin në skena apo në kinema pas publikimit në libra e vëllime të shtëpive të njohura botuese.
Falë kujdesit të autorit artist durrsak, pjesa më e madhe e veprës së tij skenike është përmbledhur në dy vëllime të titulluar “BIS – Si një variete” dhe “BIS plus – 5 komedi + 1”.
Teatri i dramës, ana e panjohur e regjisorit
I njohur për profilin komik të krijimeve të tij, suksesi i të cilave bashkë me të, ka ndjekur edhe trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, autori Haxhi Rama është kujdesur veçanërisht për këtë pjesë të veprimtarisë.
Ka shkruar 14 vepra dramatike, mes të cilave edhe dramat “Qetësia”, “Duar të fuqishme”, “Bonjakët”, Kilometri i 27” apo “Ditari i një vajze”, të gjitha të inskenuara në periudha të ndryshme në teatër.
Në vëllimin e parë “Bis” janë përmbledhur 50 skeçe, të interpretuara, kryesisht nga trupa e varietesë së Durrësit, por edhe nga estrada të tjera të vendit. Bashkë me to, në mënyrë të alternuar si në një variete, janë botuar edhe tekste të njohura këngësh, kompozuar dhe kënduar më pas nga emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, si dhe poezi, të cilat janë interpretuar në skenë me raste të ndryshme, ndonjëherë edhe prej vetë autorit Haxhi Rama, që siç dihet, në formimin e tij të parë profesional është aktor.
Komeditë, artileria e rëndë
Në vëllimin e dytë “Bis plus” Mjeshtri Haxhi Rama ka përmbledhur të gjithë “kavalerinë e tij të rëndë”, komeditë.
Mes tyre “Kartela e verdhë”, komedia gazmore, që tejkaloi suksesin e shumë pjesëve të njohura klasike të vëna në skenë në teatrot e vendit, dhe që sipas disa statisticienëve, ka kaluar shifrën e 400 shfaqjeve në të gjitha skenat e vendit.
Pas vitit 1975 vijnë njëra pas tjetrës komedia “Lojtari nr 10”, pjesa e dytë e “Kartelës së verdhë”, e cila rikonfirmoi dyshen aktoriale Milto Profi-Mirush Kabashi, në rolet e tifozëve Foni e Teli.
“Fluturimi i breshkës”, komedia e parë e suksesit, e cila njëlloj si disa vepra të tjera, përveçse në premierat e profesionistëve të skenës, zuri vend edhe në repertorin e trupave amatore të ndërmarrjeve. Nga problematikat sociale të fshatit, Haxhi Rama në vitet 1980 i rikthehet qytetit me komedinë “Mirë se erdhe Elona”. Në vitin 1993, trupa e varietesë së Durrësit, nën drejtorim e regjisorit Haxhi Rama shkëlqen me premierën “Tre burra kërkojnë një grua”, ku “tre mosketjerëve” të varietesë Fadil Hasa, Muharrem Hoxha dhe Roland Koça, i bashkangjitet plot nur edhe aktorja Liri Lushi.
Një tjetër vepër komike në fundin e viteve 2000, “Dashuria e dytë në moshën e tretë”, me protagonist Muharrem Hoxhën, e gjen veten në skenat e qyteteve të Korçës, Elbasanit dhe Durësit.
Një sukses në rritje patën edhe skeçet e shkruara nga Haxhi Rama, pjesën më të madhe të të cilave ai i inskenoi vetë, me trupën e estradës së qytetit të lindjes, por edhe me aktorë të trupave të tjera profesioniste apo amatore.
/portali DurresLajm/