Në çdo stinë të vitit, Ahmet Lilën e gjen në pragun e shtëpisë së tij duke punuar me anijet prej druri. Në Durrës, të gjithë e njohin mjeshtrin e palodhur, që me duart e tij i jep formë drurit duke realizuar prej rreth 55 vitesh me qindra anije të formave dhe përmasave nga më të ndryshmet.
Mjaft i apasionuar pas punës së tij, Lila punon pa ndërprerje, por me keqardhje konstaton rënien e shitjeve. Ditët e fundit, mjeshtri Lila po punon shumë pak. Madje po mendon edhe mbylljen, sepse nëse nuk shiten anijet që tashmë i ka gati, e ka të pamundur të vazhdojë më tej.
“Rendiment nuk ka, për arsye se tani në këtë kohë ka rënë, nuk marrim më. Anijet po mbushin muajin dhe akoma s’kanë lëviz nga vendi. Në qoftë se do më ecin këto që kam brenda mirë, s’më ecën, do mbyllet. Nuk kam për ta hap më”, thotë ai për “DurrësLajm”.
9 anije kanë mbetur në shtëpinë e rrënuar të mjeshtrit durrsak dhe stina e vjeshtës duket se nuk është më e favorshmja për shitjet, pasi turistët e huaj rrallohen. Vitet e para të demokracisë kanë qenë më frytdhënëset për Lilën, pasi siç kujton vetë ai, një verë arriti të shiste plot 100 të tilla të dimensioneve të ndryshme.
Po gjatë këtyre viteve, Lilës i ka ndodhur një histori që ende sot e kësaj dite ai e kujton me trishtim. Titaniku, transoqeaniku i famshëm, u prodhua nga duart e Lilës për një gjeneral të flotës italiane, por pas dorëzimit të porosisë, mjeshtri durrsak kuptoi se ishte mashtruar.
“Unë e përfundova për 6 muaj anijen Titanik. Erdhi këtu gjenerali i flotës luftarake italiane dhe më tha do më bësh këtë anije. Rashë në ujdi për 2 milionë lireta. I mora paratë, para se anija të dilte në radë. Pasi anija doli në radë, pashë që më kishte dhënë 19 lireta! Aty nuk di sesi më erdh. Ajo iku kot, me 19 lireta. Është turp kush ta marrë vesh”, rrëfen ai.
E ndërsa nga duart e tij kanë dalë me dhjetëra punime mjaft të arrira, si Ura e Goricës, xhamia e madhe e qytetit, kulla Eifel, Koloseu, kushtet në të cilat punon 71-vjeçari Lila janë mjaft të vështira. Shtëpia e tij një katëshe, e dëmtuar rëndë nga tërmeti, rrezikon shembjen. Mjeshtri së bashku me fëmijë rrin prej gati 2 vitesh me qira në një banesë tjetër, por çdo mëngjes ai ulet këmbëkryq në pragun e shtëpisë së dëmtuar dhe nis punon me anijen e radhës.
Pasioni që e shoqëron prej 55 vitesh vazhdon të mbetet i gjallë edhe sot. Megjithëse 71-vjeç, ai duket i vendosur të vazhdojë punën, me të cilën për shumë vite me radhë ka mbajtur familjen. Pensioni mjaft i vogël, vetëm 90 mijë lekë të vjetra, nuk i jep shumë mundësi mbijetese, ndërsa duart e vrara nga më shumë se gjysëm shekulli punë me dru vazhdon t’i ketë mjaft aktive.
I vetmi mjeshtër i anijeve të drurit në Durrës, por mbase edhe në të gjithë Shqipërinë, Lila fjalëpak e i përulur mbetet një shembull konkret i njeriut pasionant, që nxjerr nga duart e tij vepra të vërteta arti.
M.B.