Mjeshtrit e “Tangos Argjentinase”, vendas dhe të huaj, performuan për një publik të përzgjedhur në Durrës për disa orë me radhë, një event i pari i këtij lloji në vendin tonë. Kërcimtarë profesionistë shqiptarë dhe të huaj iu përkushtuan për një natë vallëzimi në Tango, një eveniment i cili u zhvillua në Durrës, në kujdesin e Federatës së Tangos Argjentinase Shqiptare.

Organizatorët menduan që nëpërmjet këtij festivali salloni, të afrojnë jo vetëm të apasionuarit e tangos, por edhe ata që duan të shohin nga afër këtë kërcim nën interpretimin e Mjeshtreve të Tangos gjatë Milonga-ve. Evenimenti ka si synim promovimin e kërcimtarëve në këtë zhanër, shumë i pëlqyer për publikun e gjerë.

Presidenti i Federatës së Tangos Argjentinase Shqiptare, Fatos Kodra, shpreson që ky aktivitet të ketë një vazhdimësi por edhe në hapjen e shkollave siç janë në Durrës dhe Tiranë. Vendi ynë ka një traditë të hershme të kërcimit të tangos që në vitet ‘70. Ndaj organizatorët e shikojnë si një mundësi për ta vazhduar atë. Gjatë mbrëmjes gala performuan maestrot e tangos, Sebastian Zanches dhe Malvina Gili, Dalmazio Carrara dhe Daniela Tabai si dhe mjaft artistë të tjerë shqiptarë.