6 nëntor 2013- Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka shpall zyrtarisht konkursin për pozicionin e "Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik" për DRFPP Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Fier, Korçë. Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të MMSR, kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin Civil në përputhje me nenin 12 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil".
Konkurentët duhet të zotërojnë një Diplomë universitare, minimalisht “Master profesional” ose të barazvlefshme dhe do të vlerësohen plus studimet postmasteriale. Gjithashtu ata duhet të kenë eksperiencë në punë jo më pak se 5 vjet, si dhe do të vlerësohen eksperiencat e mëparshme në pozicione drejtuese, kryesisht në institucione arsimore ose në programe punësimi. Kërkohet që kandidatët të kenë njohuri të gjuhës angleze dhe njohuri shumë të mira në përdorimin e programeve bazë të kompjuterit.
Të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin brenda datës 20/11/2013 në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë këto dokumente. Pas verifikimit paraprak lista e kandidateve që plotësojnë kërkesat e mësipërme, do të shpallen në vend të dukshëm në Hollin e katit të I-rë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me date 22/11/2013.





