Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka konfirmuar se mocion me debat në datën 2 mars do të zhvillohet dhe se të gjitha grupet parlamentare të përgatiten.
Në një komunikim me gazetarët, Balla tha se çdo deputet do të ketë nga 10 minuta në dispozicion, ndërsa tha se 24 orë janë të mjaftueshme për këtë debat.
“Të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten për këtë debat për ta shfrytëzuar këtë moment për një komunikim me qytetarët dhe për të ndarë me opinionin publik çështjet me rendësi dhe besoj të mos gjendemi me kërkesa të tjera procedurale që të pengojnë mbajtjen e këtij mocioni me debat.
Çdo deputet do ketë 10 minuta. Këtu kemi të bëjmë me një bashkim të disa kërkesave sepse ju e dini që rregullorja e kuvendit pavarësisht se ka disa kërkesa i bashkon në një debat të vetëm dhe mendoj se 24 orë janë mjaftueshëm për këdo grup parlamentar apo deputet ta ushtrojë atë kohë. Është opinioni publik që na gjykon.
Grupi parlamentar i PS mezi po e pret ketë mocion me debat. Data 2 është seanca e përcaktuar me një pikë e rendit të ditës, mocioni me debat”, tha Balla.
Ndërsa i pyetur në lidhje me deklaratat e ish-ministrit Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve se a ka një luftë të brendshëm me Ramën, Balla u përgjigj:
“Unë ca nuk kam dëgjuar. E kam thënë dhe e them. PS dhe grupi parlamentar kanë votuar një raport te komisionit hetimor parlamentar per kete ceshtje. Ai qëndrim që është votuar nga ana jonë është qëndrimi yne per kete ceshtje. E vërteta është që PS vazhdon ti mbetet qëndrimit se jemi në një republike parlamentare me pushtete të ndara ku drejtësia ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë, secili të respektojë veprimet e institucioneve. Ne nuk pengojnë punën e drejtësisë. Në rastin në fjalë ka qenë një nga ato të pakta raste ku ka pasur një komision hetimor dhje është votuar një raport”.